Laç, aty ku u votua për një kandidat të vetëm dhe u shpërndanë trakte poshtë dyerve
Në 25 vjet pluralizëm nuk kishte ndodhur asnjëherë, ndërsa dje ndodhi në Laç.
Në zgjedhjet që u zhvilluan dje, Kurbini ishte më i veçanti, pasi aty votohej vetëm për një kandidat. Ndonëse në fletën e votimit për kryetar bashkie ndodheshin të dy emrat, ai i Altin Bibës i APPD dhe Artur Bardhit të ASHE, votë e vlefshme ishte vetëm ajo për kandidatin e koalicionit të majtë.
Kjo pasi Biba ishte tërhequr dhe KQZ nuk miratoi kandidimin e Ilir Pjetrës që u propozua nga Partia Demokratike.
E ndonëse pritej që për shkak të këtij problemi situata mund të ishte e tensionuar, asgjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë prej 76 qendrave të votimit të Kurbinit. Qytetarët kanë shkuar për të votuar normalisht, edhe pse përqindja e votuesve rezultoi të ishte shumë e ulët, vetëm 26.83 për qind. Megjithatë, komisionerët, edhe pse mes tyre nuk kishte asnjë përfaqësues të opozitës, e kishin një justifikim edhe për këtë shifër të ulët.
Sipas tyre, banorët nuk kanë qenë të informuar si duhej, madje u ishte krijuar bindja që në Laç nuk do të votohej. “Vetëm kur panë që në Kurbin po votohej në 76 qendrat e votimit, atëherë filluan të paraqiteshin nëpër QV. Në pjesën e parë të ditës numri i votuesve ishte shumë i ulët, ndërsa pasdite nisi të rritej, kur kuptuan që në fakt nuk ishte anuluar procesi”, tregon njëri nga komisionerët në KZAZ e Laçit.
“TRAKTET” POSHTE DERES
Mëngjesi i djeshëm ka qenë paksa i çuditshëm për banorët e Laçit, kur kanë gjetur poshtë derës një fletë, ku shkruhej që të mos merrnin pjesë në votim.
“Traktet” ishin shpërndarë gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Njoftimi është fotografuar nga një qytetar i Laçit, i cili e ka denoncuar atë në Komisariatin Dixhital dhe Policia është vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar autorët.
“Njoftojmë të gjithë banorët e qytetit Laç të mos marrin pjesë në zgjedhjet vendore që zhvillohen më datë 21 qershor 2015, për shkak të një gare jo të drejtë dhe të barabartë.
Të gjithë qytetarët, intelektualët, ishtë përndjekurit politikë, njoftohen se është shpallur bojkot për këto zgjedhje për arsye të moszhvillimit të një gare të barabartë për kryetar të Bashkisë Kurbin”, thuhet në njoftimin që u është shpërndarë banorëve. Ndërsa më poshtë, autorët e “traktit” shprehen se dyshja Rama – Meta po u kujtojnë kohën e komunizmit ku ishte vetëm një kandidaturë. “Ata vendosën që ta lënë Kurbinin me një kandidat të vetëm, me kandidatin e Partisë Socialistë, z. Artur Bardhi, i cili mbetet kryetari i Bashkisë më i dështuar në 25 vjet, pasi për 4 vite nën drejtimin e tij në qytetin e Laçit nuk bëri asgjë (përveçse arriti të mbjellë 12 rrënjë pemë dhe këto të dhuruara nga Ëorld Vision)”, mbyllet thirrja për të mos votuar.
/Panorama