Si do të “varfërohet” Tirana në një ditë
Rritje e papunësisë, shtim i familjeve me ndihmë sociale, më shumë varësi nga të ardhurat e emigrantëve do të jenë “dhuratat” për kryebashkiakun e ri të Tiranës. Si ndarja e re territoriale sjell automatikisht një përkeqësim të treguesve të varfërisë të kryeqytetit.
Kushdo që do të zgjidhet kryebashkiak i Tiranës në zgjedhjet lokale do të ketë një detyrë më të vështirë se paraardhësi. Ndarja e re territoriale, që i shton Bashkisë së Tiranës 13 komuna, sjell automatikisht përkeqësim të treguesve të varfërisë të kryeqytetit dhe rritje të papunësisë, duke e vënë drejtuesin e ri të Tiranës përpara një sfide të madhe.
INSTAT, bazuar në ndarjen e re territoriale-administrative, me 61 bashki, ka publikuar online në portalin www.instatgis.gov.al, të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Nga këto të dhëna rezulton se me ndarjen e re, Bashkia e Tiranës do të përballet me më shumë të papunë, si meshkuj ashtu dhe femra, rritje të familjeve që marrin ndihmë sociale, varësi më e lartë nga të ardhurat e emigrantëve, popullsi më pak të arsimuar etj.
Me ndarjen e re administrative, sipërfaqja e Bashkisë së Tiranës rritet ndjeshëm nga 40km2 në 1110 km2, por popullsia rritet me ritme shumë më të ulëta, nga rreth 420 mijë në 660 mijë, apo 33% më shumë, sipas Censusit 2011.
Shtohet papunësia
Ndërsa premtimet nga të gjitha kampet nuk mungojnë për potencialet e kryeqytetit dhe programet për nxitjen e punësimit, në Tiranën e zgjeruar, papunësia në total do të rritet me 1.8 pikë përqindjeje, për të arritur në 24.3%.
Do të ketë më shumë të papunë, si femra ashtu dhe meshkuj, por edhe të rinj, që janë në kërkim të një pune. Norma e papunësisë tek femra, p.sh. do të arrijë në 25.6% me ndarjen e re territoriale.
Megjithatë, në tërësi, papunësia në kryeqytet do të vijojë të mbetet më e ulët se mesatarja e Shqipërisë.
Rritet pesha e bujqësisë në punësim
Futja e 13 komunave në Bashkinë e Tiranës shton në listë më shumë të punësuar nga sektori bujqësor. Nga 0.6% që ishin të punësuar gjithsej në bujqësi, tashmë kjo peshë do të rritet në 3.4%. Megjithatë, në kryeqytet, dominojnë shërbimet ku punësohen rreth 80% e banorëve, një peshë kjo më e lartë se mesatarja e popullsisë, prej 53.5%.
Rritet numri i banesave bosh
Ndërsa ndërtimet e pafundme në zonën e Kasharit nuk figuronin zyrtarisht në hartën e Tiranës, tashmë ato do t’i shtohen bashkisë së re. Sipas të dhënave të INSTAT, përqindja e ndërtesave të pabanuara ndaj totalit të banesave rritet në gati 20%, nga 15% që ishin më parë. Këto banesa kanë mbetur në pjesën më të madhe të pashitura, për shkak të rënies së fuqisë blerëse, mungesës së kredisë nga bankat, infrastrukturës së papërshtatshme, apo dhe ofertës më të lartë sesa kërkesa.
Më shumë familje do duan ndihmë sociale, më pak makina për 1000 banorë
Më pak të arsimuar, shtim i familjeve të varfra, që e shtyjnë muajin me asistencë sociale, apo që varen nga paratë që u sjellin të afërmit, një numër më i lartë të kthyerish nga emigracioni, më pak familje me një makinë, është rezultati “i padukshëm” i ndarjes së re.
Të dhënat nga harta e INSTAT tregojnë p.sh. se gati 5% e familjeve do marrin asistencë, nga 4.5% që ishte më parë.
Edhe numri i makinave për 1000 banorë zbret nga 112.6 në 104.6, por gjithsesi duke qenë shumë më i lartë se mesatarja prej 71.1 e gjithë vendit. (për më shumë informacione shiko tabelën: Tregues të Bashkisë së Tiranës me ndarjen e re dhe të vjetër territoriale).
Tirana, zemra ekonomike e Shqipërisë
Tirana është jo vetëm kryeqyteti i vendit, por dhe i ekonomisë. Infrastruktura e përshtatshme, pozicionimi në qendër të Shqipërisë, afërsia me portin dhe aeroportin e kanë bërë Tiranën vendin më të preferuar për të bërë biznes.
Statistikat e INSTAT konfirmojnë se Qarku i Tiranës (ku qyteti i Tiranës mban peshën kryesore) kontribuon në 38% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Po aq i rëndësishëm është dhe për punësimin, me rreth 50% të totalit.
Në Tiranë ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 50 mijë ndërmarrje, me numrin e tyre që ka ardhur në rritje vit pas viti. Pjesa më e madhe e tyre ushtrojnë aktivitetin në tregti dhe shërbim ushqimor e akomodim. Kryeqyteti vijon të sjellë prurje të reja, me 40% të ndërmarrjeve të reja të hapura në 2014, që zgjodhën pikërisht Tiranën.
Ndërtimi ka qenë një sektor i rëndësishëm, me Tiranën që kontribuon me 56% të këtij sektori në të gjithë vendin.
Tirana është dhe kryeqyteti i emancipimit, me përqindjen më të lartë të pronareve femra ndaj totalit.
/Monitor.al