A mund të quhet ky vërtetë restaurim i hamamit të Krujës?
Pas një pune 26-mujore dhe një investimi prej 84 000 eurosh, qytetit mesjetar të Krujës i rikthehet sot Hamami i Kalasë, monument kulture i kategorisë së parë dhe një atraksion turistik potencial. Fondacioni suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania), në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me financim nga qeveria suedeze, inauguroi sot hamamin e restauruar të Kalasë së Krujës, një ndër më të vjetrit e llojit të vet në vendin tonë. Procesi i restaurimit përfshiu edhe rigjallërimin e hamamit, duke e bërë një nga të parët hamam tradicional funksional në Ballkan, dhe duke hapur kështu rrugën për zhvillimin e një rrjeti më të madh vendesh të trashëgimisë kulturore që ofrojnë shërbime.
Hamami i Krujës, i ndërtuar gjatë fundit të shekullit të XV, i përket periudhës osmane dhe është një ndër shtatë hamamet që gjenden sot në Shqipëri. Për restaurimi e tij janë përdorur teknika dhe materiale origjinale, ndërsa transporti i materialeve nga fundi i rrugës, në skajin e sipërm të kalasë, në hamam është bërë manualisht. E bardha e vezës në suva gëlqereje, pluhuri i tullës (gëlqere e kuqe), dhe përzierja e qeramikës me gëlqeren e shtruar nën tjegullat e kuqe në kupolat dhe çati sigurojnë të ardhmen e këtij monumenti të vjetër kategorisë së parë. Inaugurimi i hamamit të Kalasë së Krujës është kremtimi i 14 muaj punë restauruese, 12 muaj punë dokumentuese dhe studimore, dhe dedikimit të 20 specialistëve, punëtorëve dhe zejtarëve që kanë kontribuar në rikthimin në jetë të këtij monumenti.
Objektivat e CHwB Albania në këtë projekt restaurimi dhe rigjallërimi përfshinin: zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore për gjenerim të ardhurash, dhe restaurimin dhe rikthimin e funksionit fillestar të monumentit. Rikthimi i Hamamit të Kalasë në gjendje funksionale do të nxisë rritjen e të ardhurave për komunitetin lokal, rijetëzimin të lagjes përreth, rritjen e turizmit, dhe fillimin e një nisme më të gjerë për ngritjen e një rrjeti kombëtar të hamameve. (Mapo)
***
Kryeministri Rama në facebook shoqëroi fotot e Hamamit të restauruar me këtë shënim:
Hamami i Krujes trashegimi e shek 15 si e lane barbaret ne 23 qershor 2013 dhe si u kthye ne identitet ne 18 muaj
Por kanë qenë të shumtë komentet negative dhe akuzat se në të vërtetë Hamami është shkatërruar dhe restaurimi nuk përngjan me origjinalin.
Këtyre akuzave kryeministri u është përgjigjur si më poshtë:
Nje sqarim per gjithe “kompetentet” qe kane derguar komentet e tyre kritike: Hamami i Krujes eshte restauruar nga nje skuader ekspertesh nderkombetare italiane, suedeze e boshnjake, ne baze te projektit te bere nga organizata prestigjioze Cultural Heritage Without Borders, me kerkese te Ministrise sone te Kultures e me mbeshtetje te qeverise suedeze. Faktikisht eshte pastruar nje grope plehrash e mbuluar si varreze dhe eshte punuar gur me gur, duke nxjerre strukturen origjinale dhe kryer restaurimin me te njejten teknologji e te njejtat materiale te perdorura gjate periudhes otomane. Qellimi i eskpertizes ka qene ta ktheje hamamin ne formen e tij origjinale dhe funksionale, siç veprohet rendom ne rastin e kesaj tipologjie monumentesh kur funksionalizimi i tyre eshte i mundur. Prandaj le te sherbeje ky rast edhe per zgjerimin e dijeve mbi trajtimin specifik te monumenteve te kultures ne raste te kesaj natyre. Asgje per t’u deshperuar te dashur “kompetente”, shijojeni ndryshimin ne drejtimin e duhur.
Duke lënë mënjanë tonin tashmë të njohur si arrogant të Kryeministrit, pytetja që shtrohet është “A është kthyer në identitet ky objekt pas restaurimit?
/Peshkupauje