Përurohet memoriali “Heroinat”- nderon sakrificat e grave shqiptare në luftën e Kosovës
Sot në Prishtinë u përurua memoriali “Heroinat”, monument i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës në Kosovë. Të pranishëm në inagurim ishin Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri, Isa Mustafa.
Kryeministri, Isa Mustafa tha se ky memorial tregon respektin institucional për kontributin e grave për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, në kushte tmerrësisht të rënda, ku populli përjetonte trauma të përmasave apokaliptike.
“Ky memorial shënon një pikë kthese jo vetëm në kujtesën tonë historike, por edhe në respektin institucional dhe në njohjen e vlerave dhe kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë nënat, gratë dhe motrat tona gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për më tepër, ky memorial duhet parë edhe si një mirënjohje sublime artistike, por edhe shtetërore, për të gjitha përjetimet tragjike të gruas shqiptare në tmerret e kësaj lufte, por edhe gjatë tërë historisë sonë kombëtare”, theksoi Mustafa.
Kjo vepër e realizuar artistike, është një vepër nderimi për sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por edhe për sakrificën e grave të dhunuara.
“Gjatë ditëve të luftës në Kosovë, qindra gra të tjera u angazhuan në profesione e punë të ndryshme. Ato ishin pjesë e pandashme dhe vitale e rezistencës dhe e UÇK-së. Është e pamundur të numërohen të gjitha. Kontributi i grave në luftën e fundit gjithsesi është vazhdimësi e kontributit të tyre gjatë dekadave të luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nënat, gratë dhe motrat tona ishin kudo, si në protesta, ishin aty ku ishte dhuna policore, ishin në betejën politike për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”, tha Mustafa.
Alma Lama, iniciuese e memorialit ‘Heroinat’ tha se kjo është një mirënjohje për gratë kosovare që kanë kontribuar shumë për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
Siç tha edhe kryeministri Mustafa, kjo është vepra e parë që i kushtohet femrave.