Bleona mes artistëve shqiptarë e të huaj që mbështesin vepra bamirësie
E njohur si një artiste e spikatur për kurajon dhe sfidën ndaj mentalitetit të mbyllur në Shqipëri, Bleona këtë herë i është bashkuar nismës së ngritjes së fondeve për të rinjtë LGBTI në risk e të pastrehë në Shqipëri.
Darka Gala “Një Shtëpi, Shumë Zemra” u mbajt në ambientet e Hotel Rogner në Tiranë, më 16 Maj 2015. Më shumë se 100 të ftuar, iu bashkuan këtij eventi, i cili u realizua për herë të parë në Shqipëri me qëllim mbledhjen e fondeve për Strehën.
Këngëtare të mirënjohura si Rosela Gjylbegu, Mariza Ikonomi, Semi Jaupaj, Era Rusi dhe Anxhela Peristeri performuan gjatë darkës duke përcjellë mesazhe kundër dhunës e abuzimit dhe mesazhe solidariteti në respekt të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri.
Mbrëmja gala “Një Shtëpi, Shumë Zemra” u nderua nga prezenca e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ambasadores së Hollandës, përfaqësues të trupit diplomatik, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri.
Në këtë mbrëmje nuk mungoi Bleona, si e ftuar speciale. E njohur për mbështetjen ndaj komunitetit LGBTI në SHBA, ajo nuk kurseu kontributin e saj në vendin e origjinës. Nën moton “Kurajo nuk do të thotë mungesë frike – do të thotë tejkalim i saj”, ajo shprehu përkrahjen ndaj Strehës, të vetmes qendër rezidenciale në Europën Juglindore që akomodon të rinjtë e pastrehë LGBTI në risk përjashtimi social e të braktisur nga familja.
“Do bëj gjithçka mundem që këta persona të kenë mbështetje” tha Bleona, duke rritur shpresën dhe optimizmin tek të rinjtë e Strehës, të cilët e shohin këtë qendër si një dritë jeshile për të mos mbetur në mes të katër rrugëve. Streha akomodon të rinjtë e pastrehë LGBTI në Ballkan që prej Dhjetorit 2014 falë mbështetjes së USAID nëpërmjet Assist Impact.
Mbrëmja u shoqërua me çmime për aleatët e vitit që mbështesin kauzën dhe të drejtat e komunitetit LGBTI, muzikë, performanca artistike dhe objekte të ndryshme që ishin pjesë e ankandit të heshtur.
Artisti i njohur britanik Ian McKellen ishte pjesë e ankandit të heshtur përmes bluzës së stampuar me foton dhe autografin e tij, e mundësuar nga Albert Kennedy Trust- një qendër e ngjashme në Britani. Por, nuk mungoi bujaria e Bleonës e cila nxorri në ankand një prej fustaneve të saj për t’i ardhur në ndihmë ngritjes së fondeve për Strehën. Jo vetëm si qytetare shqiptare, por edhe si një shtetase amerikane tashmë, Bleona ka mbështetur publikisht mbrojtjen e të drejtave të të rinjve LGBTI të pastrehë në Shqipëri.
Hapa të vegjël kanë sjellë ndryshime të mëdha. Ndaj këtë herë, faleminderit Bleona, Ian McKellen, Rosela, Mariza, Semi, Era dhe Anxhela për dimensionin unik që i keni dhënë artit në solidarizimin ndaj kauzave sociale.
Fotot nga © Erjona Çami