LGBT, Parada e 4 me biçikleta në Tiranë këtë fundjavë
Këtë fundjavë aktivistët LGBTI do të zhvillojnë paradën e katërt me biçikleta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përgjatë bulevardit “Zogu I”. Në këtë aktivitet kanë konfirmuar pjesëmarrjen jo vetëm pjesëtarë të Trupit Diplomatik Shqiptar si ambasadori i SHBA z. Donald Lu, ambasadorja e Hollandës znj. Dewi van de Weerd, por edhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, si Avokati i Popullit, përfaqësues nga Ministria e Mirëqënies Sociale, pjesëtarë të nënkomisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, etj.
Gjithashtu dy organizatat kryesore për të drejtat e LGBTI Aleanca LGBT dhe ProLGBT do të shpallin edhe këtë vit çmimet për aleatët e tyre të vitit gjatë një mbrëmje gala bamirësie që do të zhvillohet të shtunën në hotel Rogner. Të ardhurat e kësaj mbrëmje do të shkojnë si donacion për “STREHA”, qëndra e parë rezidenciale për personat LGBTI në Shqipëri.
E konsideruar nga “The Economist” si një “zgjidhje kreative” parada me biçikleta është një mundësi për të ngritur çështje dhe për të protestuar në mënyrë paqësore për të drejtat e LGBTI.
Këtë vit ne marshojmë për këto arsye:
– Për të gjithë ata të rinj të komunitetit LGBTI që përzihen nga shtëpia ose që dhunohen në mënyrë sistematike
– Për të gjithë pjesëtarët e komunitetit që janë të detyruar të jetojnë një jetë të dyfishtë nën presionin e tmerrshëm të familjes, apo shoqërisë
– Për të protestuar ndaj premtimeve të pambajtura të qeverisë aktuale. Na u premtua në 2013 se shtetin do e kishim në krahë për të edukuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë por kjo gjë ka mbetur vetëm mbi supet tona deri tani. Na u premtua gjithashtu se Shqipëria do të ndiqte rekomandimet e Këshillit të Europës për të njohur ligjërisht bashkëjetesat mes së njëjtës gjini, por kanë kaluar të paktën dy vjet dhe ky mbetet një premtim i pambajtur
– Do të marshojmë gjithashtu për t’i thënë ndal dhunës dhe padrejtësive në familje, shkollë, në punësim dhe në çdo ambient tjetër
Si do të zhvillohet “Tirana Gay Ride 2015”?
Do të takohemi në orën 15.00 të datës 17 Maj në sheshin “Nënë Tereza”. Për të gjithë pjesëmarërsit Ecovolis do të sigurojë nga një biçikletë. Pedalimi do të vijojë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do të kalojmë në sheshin Skënderbej dhe ndryshe nga vitet e kaluara do të vijojmë përgjatë bulevardit “Zogu I”. Tek stacioni i Trenit do të kthehemi dhe në kthim, nga Parku Rinia deri në sheshin Nënë Tereza do të ecim në këmbë. Më tej, në sheshin Nënë Tereza do të kemi muzikë nga D.J. si dhe pije të ndryshme.
PËR ATA QË NUK KANË MUNDËSI TË NGREJNË ZËRIN KUNDËR DHUNËS
Më shumë info në historiaime.al dhe tiranagayride.com