Nga shoqëria e propagandës në shoqërinë e komunikimit
Nga Mark Marku
Përpjekjet e qeverive për të kontrolluar dhe manipuluar mediat kanë shoqëruar gjithë historinë e mediave botërore që nga lindja e medias së parë, librit, e deri në ditët tona. Dihet tashmë arsyeja: mediat si institucione që realizojnë qarkullimin e informacionit dhe të ideve, ndikojnë në formësimin e dijes dhe të sjelljes së publikut dhe, për rrjedhojë, mund të përcaktojnë mbështetjen apo kundërvënien e qytetarëve ndaj një regjimi apo qeverie të caktuar. Madje, edhe Napoleon Bonaparti ia njihte shtypit këtë fuqi të jashtëzakonshme kur thoshte: “Katër gazeta armiqësore janë më të frikshme se mijëra bajoneta”. Për shkak të kësaj fuqie, në asnjë sistem, regjim apo qeveri, mediat nuk e kanë pasur kurrë lirinë e plotë. Format e kufizimit të lirisë së mediave ndryshojnë varësisht sistemeve dhe regjimeve dhe, po ashtu, edhe modelet e shtypit (mediave).
Shtypi shqiptar për shkak të rrethanave historike paraqet një dukuri unike në këtë drejtim. Në fazën e parë të tij, pra nga viti 1848 deri në vitin 1912, shtypi shqiptar e ushtronte veprimtarinë e tij në një hapësirë gjeopolitike mjaft diverse, me forma organizimi shtetëror dhe politik nga më të ndryshmet.
Shtypi shqiptar lind në vitin 1848 në Mbretërinë e Napolit, dhe për një periudhë 3040 vjeçare Italia do të bëhet një nga qendrat e rëndësishme të aktivitetit të shtypit shqiptar. “L’Albanese d’Italia”, “Fiamuri Arbërit”, “La Nazione Albanese”, për të përmendur vetëm disa prej gazetave më të rëndësishme, sjellin një model shtypi të formësuar nga doktrina liberale e informacionit që ka karakterizuar shtypin perëndimor që prej shekullit XVIII e këtej. Aktet bazë të kësaj doktrine e kanë zanafillën tek “Areopagjitika” e Miltonit, por morën formë juridike me Kushtetutën e Suedisë (1766), e cila qe e para Kushtetutë që tentoi t’i vinte fre censurës ndaj shtypit. Dhjetë vjet më vonë (1776), shteti i Virxhinias hartoi “Virginias Bill of Rights”, ku sanksiononte se “liria e shtypit është një nga mburojat e fuqishme të lirisë dhe s’mund të kufizohet veçse nga qeveritë despotike”. Ky akt që shpallte “fundin e monopolit të princit mbi fjalën” (F. Balle), pasohet nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit (Francë, 1789) dhe Kushtetuta e SHBA. (1791). Amendamenti 1 i kësaj kushtetute ia ndalon Kongresit të drejtën për miratimin e ligjeve që kufizojnë lirinë e fjalës dhe shtypit.
Pikërisht në hapësirën ku e shtrinte ndikimin doktrina liberale e informacionit, përveç shtypit arbëresh, lindin dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre për një kohë të gjatë disa nga revistat dhe gazetat më të rëndësishme të shtypit shqiptar: “Albania”, “Kombi”, “Dielli” dhe më vonë “Shejzat” (por jo vetëm ato). Si modele shtypi ato përfaqësojnë jo vetëm doktrinën liberale, por edhe nuancimet e kësaj doktrine në Europë dhe në SHBA: në Europë parimi i lirisë së shtypit shkon krahas parimit të kufizimit të abuzimit me lirinë, parim që buron nga Deklarata Franceze e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit. Që në numrin 2 të revistës “Albania”, Konica e shpall parimin volterian të cakut të shtrirjes së kufirit të lirisë deri në cakun e lirisë së tjetrit, duke aderuar kështu në mënyrë të vetëdijshme në doktrinën liberale europiane të informacionit.
Dielli”, “Kombi” dhe gazetat apo revistat e tjera që botohen në SHBA, aderojnë në doktrinën liberale amerikane të informacionit. Sipas kësaj doktrine, liria e fjalës dhe e shprehjes, pra e shtypit, ka përparësi mbi kufizimet. Në thelb, të dyja nuancimet, qoftë ajo atlantike, qoftë ajo kontinentale, ndërtohen mbi parimin e kundërshtimit të autoritetit: monopoli i së vërtetës nuk i përket askujt dhe askujt nuk i njihet e drejta që ta përdorë autoritetin për imponimin e së vërtetës.
Shtypi shqiptar i botuar në hapësirën otomane reflekton gjithashtu modelin e shtypit, ku princi e ka ende monopolin e së vërtetës. “Drita” e Stambollit mezi e fiton lirinë e botimit, pasi pushteti perandorak nuk u njihte shqiptarëve (sidomos atyre myslimanë) as të drejtën e dijes në gjuhën e tyre, as të drejtën e shprehjes përmes fjalës shqipe dhe, siç dihet, “Drita” del falë një shqiptari të besimit ortodoks, Petro Pogës, i cili boton një gazetë shqipe pikërisht pse ishte ortodoks, pra sipas pushtetit perandorak, grek. Por edhe kur del, “Drita” nuk e ka lirinë politike, pasi e vërteta politike është ende monopol i autoritetit. Modeli i pushtetit autoritar otoman përcakton kufizime të forta për shtypin. Por edhe këtu ka nuancime. Në Bukuresht, “Drita” dhe të gjitha gazetat që botohen atje, përfitojnë prej autonomisë e më pas lirisë së fituar nga rumunët për të aderuar në doktrinën liberale. Dhe jo vetëm aty, edhe në Egjipt, e më vonë në Mbretërinë Jugosllave.
Pas krijimit të shtetit, shtypi shqiptar do të aderojë në doktrina të ndryshme lirie dhe robërie. Pas 1912s, shtypi shqiptar do të modelohet sipas shumë regjimeve. Fillimisht ndarja e madhe: Shqipëri, Kosovë. Regjime të ndryshme politike, modele të ndryshme shtypi për 87 vjet. Pastaj, Lufta e Parë Botërore që kryqëzon në territorin shqiptar jo vetëm ushtritë e fuqive europiane: franceze, austriake, italiane, por edhe modelet e ndryshme të shtypit europian. Në Korçë shfaqet modeli francez me “Gazetën e Korçës”, në veri modeli austriak me “Postën e Shqypnisë”.
Në vitet 19201924, Shqipëria kalon një fazë demokracie politike të admirueshme, edhe pse ajo qe një periudhë mjaft e paqëndrueshme dhe konfliktuale, që kulmoi me luftën civile të vitit 1924. Mund të thuhet se në këtë fazë shtypi shqiptar aderon plotësisht në doktrinën liberale perëndimore. Kufizimet e vetme të shtypit ishin jo politike, por ambientale: në një ambient ku demokracia është e kërcënuar nga dhuna, edhe shtypi ndihet po aq i kërcënuar. Është paradoksale që përmbysja revolucionare e ‘24s u bë nga Fan Noli, Gurakuqi, Hilë Mosi, Omari e të tjerë që vinin nga SHBA dhe Europa, vende me demokraci tashmë të konsoliduar dhe me doktrina liberale të informacionit. Modeli politik i Nolit tentonte të përmbyste pikërisht atë model nga kishte ardhur dhe të vendoste një model të ngjashëm me modelin sovjetik, që sapo ishte shfaqur në sfondin politik europian. Qe kohë e shkurtër dhe nuk patëm kohë të shihnim se ç’hapësira lirie dhe ç’modele shtypi do të implementonin në Shqipëri revolucionarët e rinj që ikën nga pushteti më shpejt se ç’erdhën.
Pas 1924s, në Shqipëri do të vinin regjimet autoritare, njëri pas tjetrit. Fillimisht regjimi autoritar zogist, më pas regjimi autoritar fashist e nazist e, në fund fare, regjimi autoritar komunist. Me gjithë ngjashmëritë, regjimet autoritare e kanë një ndryshim dhe modelet e shtypit që ata sjellin janë të ndryshme. Regjimi autoritar monarkist është joideologjik. Si i tillë ai vendos censurën dhe kontrollin politik të shtypit, por lejon një pluralizëm ideor të admirueshëm. Kjo është arsyeja që shtypi shqiptar i viteve ‘30 reflekton një model ku liria e shprehjes, rrjedhimisht edhe e shtypit, është e kufizuar vetëm politikisht, por ndërkohë qarkullimi i ideve është i lejuar. Madje, organet e shtypit bëhen institucione të përhapjes së tyre. “Illyria”, “Bota e re”, “Përpjekja shqiptare”, “Leka”, “Hylli i Dritës”, “Minerva”, “Kultura Islame”, për të përmendur më kryesoret prej tyre, përqafojnë dhe kultivojnë modernizmin, neoshqiptarizmën, majtizmin, konservatorizmin, përfshi dhe atë fetar, pra shumëshumë ide dhe rryma që ushqenin mendimin dhe dijen bashkëkohore europiane të periudhës midis dy luftërave. Regjimi i shtypit monarkist aderon gjysmë për gjysmë në doktrinën liberale të shtypit: liri e sipërmarrjes, liri relative e shprehjes së mendimit etj.
Në tjetër regjim shtypi është shtypi fashist, nazist dhe komunist. Në periudhën mes viteve 19391944 modeli fashist, sidomos ai italian, u bë mbizotërues në shtypin shqiptar. Gjithë sistemi i shtypit u shndërrua në instrument propagande.
Pas rënies së modelit fashist, shtypi shqiptar aderon në modelin leninist të shtypit, i cili nga ana e tij është zbatim i doktrinës marksiste. Në thelb të kësaj doktrine qëndron kritika marksiste ndaj doktrinës liberale. Marksi në emër të lirisë reale kritikon liritë formale të shtypit kapitalist, por regjimet e shtypit të ngritura më vonë, sipas doktrinës së tij, e asgjësuan edhe lirinë formale, edhe lirinë reale. Lenini vë në jetë një model shtypi, ku gazeta nuk është asgjë tjetër, veçse vetëm një organizatë kolektive e agjitacionit dhe propagandës. Krijohet kështu një regjim propagande tërësisht i orkestruar nga Partia në shërbim të krijimit të njeriut të ri.
Edhe modeli komunist shfaqet me diferencat e veta. Në shtypin shqiptar në ishJugosllavi, ndikimi ideologjik është më i kufizuar, pasi vetë regjimi i Titos i zbatonte në mënyrë më krijuese idetë e Marksit dhe e kishte refuzuar prej kohësh modelin leninist të shtypit. Po në këtë periudhë, një pjesë e shtypit shqiptar, ai i emigracionit (“Shejzat” dhe “Dielli”), vazhdon të aderojë në regjimin liberal të informacionit.
Rënia e regjimit komunist në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi bëri që mediat shqiptare të aderonin plotësisht në doktrinën liberale të shtypit. Por doktrina liberale e shtypit nuk është çelësi magjik i lirisë së mediave, edhe pse ai është pa dyshim më i miri. Liria e mediave nuk ka armik vetëm censurën dhe kamxhikun e pushtetit, ajo ka armiq të tjerë: ekonominë, publicitetin, traditën, madje paradoksalisht vetë atë që e mundëson lirinë: konkurrencën e lirë të tregut. Duke pasur parasysh këta faktorë dhe shumë të tjerë, krahas doktrinës liberale të informacionit në Perëndim, është shfaqur që në fillimet e shekullit të kaluar doktrina e përgjegjësisë shoqërore të mediave. Pra, vetë doktrina, në të cilën ne kemi ëndërruar të aderojmë, është shndërruar. Duhet, pra, që sistemi i mediave ta gjejë arsyen e vet të ekzistencës në rrethana të reja, në tregje që ndikojnë me shpejtësi prej zhvillimeve teknologjike, në shoqëri që pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve quhen shoqëri të komunikimit.
/Panorama