“ROMING – no network”, premiera e dokumentarit për komunitetin Rom
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – SOROS, njofton premierën e Dokumentarit “ROMING – no network” sot në orën 18:00, tek Kinema Milenium.
Dokumentari me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit është një udhëtim ekspozues i një copëze të historisë së një segmenti periferik në shoqërinë shqiptare, atë të Romëve shqiptarë.
ROMING janë histori të rrëfyera nga anëtarët e komunitetit Rom mbi të shkuarën dhe bashkëkohësinë. Romi shqiptar si një qënie në përpjekje të vazhdueshme për tu lidhur me botën që e rrethon por që shpeshherë mbetet pa përgjigje, ndaj dhe skaji bëhet bota e tij. Njerëz që kanë qenë gjithmonë aty por pothuajse gjithmonë të padukshëm. Dokumentari trajton paradoksin e jetës “dinjitoze” në diktaturë dhe jetës së përvuajtur në demokraci.
Premiera në dt. 29 Prill, ora 18:00 në Kinema Milenium.
Hyrja e lirë.
English subtitles provided