Turizmi: Super resortet luksoze të lëna në harresë
Në memorien e shumëkujt janë ende projektet për resortet e mëdha luksoze turistike në zonën e Kavajës, por sot kur punimet duhet të ishin në kulmin e tyre, fushat gjenden të shkreta para rrugëve të reja bosh, të bëra posaçërisht për zhvillimin e tyre.
Në gusht të vitit 2011, qeveria autorizoi ndjekjen me prioritet të ndërtimit të fshatrave turistike në Synej dhe Gosë të Kavajës bashkë me portin e jahteve, me vlerë të përbashkët investimi më shumë se 1 miliard euro. Por, siç mësohet nga burimet pranë projektit, korniza ligjore e paplotësuar kanë lënë ende sot e kësaj dite të paangazhuara investimet e kompanive në fshatrat turistike. Lançimi i projekteve me lejet përkatëse në prag të zgjedhjeve të 2013-s duket se kanë lënë në pritje trevjeçare investitorët, të cilët me ndryshimin e qeverisë duhet të përshtaten me rregullat e reja.
Në një gadishull kodrinor, të paprekur nga turizmi, rreth 20 kilometra në jug të qytetit turistik të Durrësit, kompania “Finsec AG” planifikon që të ndërtojë një port jahtesh me 800 vende parkimi, dhe një resort me 150 apartamente bashkë me një hotel veçmas që do të kushtonte 85 milionë euro. Gjithsej vlera e investimit përllogaritet në 200 milionë euro, duke përfshirë edhe portin. Por, për të zhvilluar fshatin turistik që është edhe faza e dytë e punimeve, investitorët zviceranë do të duhet të presin rregullat e reja ligjore që rrjedhin nga ligji i ri për turizmin. Por projektet turistike duket se po kalojnë edhe nëpërmjet një tranzicioni të fortë institucional, ku struktura përgjegjëse për turizmin në një periudhë prej një viti e gjysmë ka ndryshuar tre herë dikasterin përgjegjës.
Tërhiq e mos e këput është çështja e projektit tjetër për fshatin turistik të Vilbashtovës. Ish-ekspertë të atashuar pranë çështjes që në vitin 2011 pohojnë se, kompania është në pritje të ofertës shqiptare, pasi disa pengesa në lidhje me pronësinë e tokës dhe në marrjen e lejeve kanë penguar projektin. Projekti është gati, por për të njëjtat arsye që kanë lidhje me pronësinë dhe statusin e paqartë të koncesioneve në zonat turistike, investimi nuk ka vijuar më tej.
Vilbashtova është një nga zonat më të bukura bregdetare të Adriatikut. Natyra është e paprekur dhe si rrallëkund mund të gjesh zambakë në rërë. Projekti britanik parashikonte ndërthurjen e disa elementeve, si shfrytëzimin e pjesëve me panoramike të zonës, ndërtimin e mjediseve sportive me një kapacitet më shumë se 30,000 pushues. Investitori në faqen e tij zyrtare njofton se kthemi shumë shpejt. Qeveria e para vitit 2013, në mbështetje të këtij projekti, ndërtoi edhe rrugën e re nga aksi nacional në Vilbashtovë.
Gjithashtu nuk ka mundur të zhvillohet kompleksi turistik OMNIX ALBANIA, një prej kompanive më me emër të fushës nga Katari. Ky kompleks ishte planifikuar në zonën e Gjirit të Lalëzit në Durrës. Projekti i investimit është bërë nga kompania “Chapman Taylor” dhe me një vlerë fillestare investimi prej 200 milionë eurosh dhe në fazat e mëvonshme ishte parashikuar të arrinte në 2 miliardë euro i programuar për të gjeneruar 20,000 vende pune. Projekti nuk ka nisur të zbatohet. Edhe ky projekt ka mbetur vetëm i tillë për shkak të tranzicionit institucional dhe ligjor që buroi nga rrotacioni politik i 2013-s.
Ekspertët në Ministrinë e Ekonomisë pohojnë se, ngërçi që është krijuar në investimet e mëdha në turizëm po përpiqet të zgjidhet me ligjin e ri. Me këtë ligj, dhënia e koncesioneve në turizëm lehtësohet ndjeshëm.
Kakomeja është padyshim një nga projektet më të përfolura në Shqipëri. Në fillim u mendua se do të ishte një projekt që do të mbante firmën e “Club Med”, por kompania u tërhoq nga investimi pak kohë më parë. Tani janë shqiptarët ata që po e ndërtojnë. Bëhet fjalë për fshatin turistik në zonën e Kakomesë. Është një ndërtim që synon thithjen e turistëve të huaj. Parashikohet që ky ndërtim të shtrihet në dy zona bregdetare. Ai do të njihet me emrin “Vendqëndrimi i ri i Robinsonëve”. Ndërtimi llogarit një sipërfaqe prej rreth 700,000 metër katrorësh. Vilat do të jenë një ose dykatëshe. Kapaciteti akomodues është parashikuar të jetë 700 shtretër. Strehimi do të jetë aktiv për 175 ditë në vit. Është parashikuar të ketë vende pushimi, relaksimi dhe argëtimi, si pishina, praktika në disa lloj sportesh, kinema, dyqane etj.
Gjithashtu ecuri pozitive kanë pasur edhe projektet në Gjirin e Lalëzit. Aktualisht është ndërtuar fshati turistik “Lura 1”, dhe janë në ndërtim fshati turistik “Lura 2”, “Lalzit-Bay” në Hamallaj dhe “Peshkatari” në Shën Pjetër me kapacitet 550 shtretër.
Resorti britanik “Lalzit Bay – SPA” pritet të përfundojë në tre vitet në vijim dhe është në kulmin e punimeve. Ambientet në resort shiten dhe jepen me qira. Një sipërfaqe 100 metra katrorë kushton 120 mijë euro, ndërsa shitjet mësohet të kenë pasur mjaft interes prej blerësve nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora.
/monitor.al