“Reforma nuk kalon” tjetër protestë e studentëve (VIDEO)
Studentë të fakulteteve të ndryshme kanë dalë sërish në protestë kundër Reformës së Arsimit. Këtë herë, protestave i janë bashkuar studentë nga Universiteti i Elbasanit, Durrësit, Shkodrës si dhe studentë nga Kosova.
Marshimi nisi rreth orës 11:00, ku studentët janë mbledhur nga fakultete të ndryshme dhe janë nisur së bashku drejt Kryeministrisë. Aty ku u mbajt edhe protesta. Qindra studentë, profesorë, familjarë, gjimnazistë, kundër reformës, morën pjesë.
“Reforma nuk kalon” është motoja e studentëve të cilët kërkojnë tërheqjen e Qeversië për ndryshimet në arsimin e lartë. Lëvizja “Për Universitetin”, e cila ka organizuar protestat deri tani, shkruan në faqjen e Facebook se “Kjo reformë abuzon me paratë publike për universitetin duke ua falur bizneseve universitare private, koston e falimentimit të së cilëve do t’i paguajë studenti dhe universiteti publik. Kjo reformë është klienteliste dhe tregtarizuese dhe si e tillë duhet ndaluar”.
Që në fillim të nxjerrjes së projektligjit, studentët kanë kundërshtuar rritjen e tarifave, ndarjen e fondeve publike mes universiteteve publike dhe atyre private, burokratizimit të strukturave të universiteteve etj.
Pas gjithë thirrjeve dhe mesazheve për qeverinë, protestuesit shënun në bulevardin përpara saj “përgjigjen” e tyre për reformën – JO.
Por nuk kishte si të mos kalonte pa incidente edhe kjo protestë. Në fund, kur protestuesit menduan të linin në trotuarin e Kryeministrisë një “dhuratë”, pati një përplasje me forcat policore aty. Ky incident, fatmirësisht kaloi pa u zgjatur shumë.
Pavarësisht protestave të studentëve dhe kundërshtimeve nga dhjetra pedagogë, përpara disa javësh ky ligj ka marrë miratimin e qeverisë. Sipas Ministrisë diskutimet e mëtejshme për këtë ligj do të nisin në muajin maj. Kryeministri Rama, e ka injoruar deri tani protestën dhe është shprehur i vendosur për “të vënë dorë” mbi degradimin e Arsimit të Lartë, qoftë atij publik apo dhe atij privat./Historia Ime/