Mashtrimi me kartën e shëndetit, 1 copë letër, e paplastifikuar
ILDA HOXHA
Më herët, drejtori i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci, dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, premtuan se karta e shëndetit, ajo që ka nisur prej disa muajsh të zëvendësojë librezën shëndetësore do të ishte një dokument i plastifikuar, por që rezultoi të jetë gënjeshtër. Kjo, pasi karta e shëndetit përthyhet lehtësisht, nuk është karton dhe as kartë plastike siç ka emrin apo e plastifikuar, siç u premtua gjatë prezantimit të projektit. Përkundrazi, karta e shëndetit është një copë letër, e mbështjellë nga një qese e hollë, që griset lehtësisht. Por, burime zyrtare në fondin e sigurimeve shëndetësore thonë për gazetën Shqip: “Në fakt, materiali është i plastifikuar. Provoni ta grisni apo ta lagni”, duke hedhur poshtë një fakt të vërtetë që kushdo që është i pajisur me këtë dokument ndihet i mashtruar, pasi kjo nuk është e vërtetë. Veç kësaj, të njëjtat burime theksojnë se tanimë është ngritur sistemi online, ku hidhen të dhënat e pacientëve, i aksesueshëm nga të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Por, as kjo nuk rezulton e vërtetë, pasi pjesa më e madhe e qendrave shëndetësore, kryesisht në Tiranë nuk kanë kompjuterë, mjet që e bën të pamundur eksesin në këtë sistem online.
“Regjistri i të siguruarve, karta është e integruar me regjistrin e pacientëve. Pra, mjeku mund të shohë
, nëse pacienti është në regjistrin e të siguruarve dhe çfarë kategorie i përket”, sqarojnë burime zyrtare në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Të pyetur lidhur me buxhetin që do të vërë në dispozicion të
realizimit të këtij projekti, burime në Fond nuk pranojnë të përgjigjen, ndërsa thonë vetëm se kostoja për një kartë shëndeti është 18 lekë të reja. Sipas tyre, ndryshe nga libreza e shëndetit, ku pacienti paguante 200 lekë të reja për rinovimin e saj, për kartën e shëndetit nuk do të jetë e nevojshme për të paguar para në asnjë rast, pasi tanimë shpenzimet do të mbulohen falas për të gjithë nga buxheti i Fondit.
“Shpenzime janë bërë vetëm për blerjen e formularit të kartës,software është ndërtuar nga personeli i
Fondit, dhe është instaluar po në pajisjet ekzistuese informatike. Çdo kartë e ka koston 18 lekë, por pacienti nuk paguan kurdo që e rinovon, ndryshe nga libreza që paguhej sa herë rinovohej. Fondet mbulohen nga FSDKSH”, deklarojnë burime zyrtare në FSDKSH. Ndër të tjera pohohet se kushdo që është i pajisur me kartën e shëndetit nuk ka nevojë për dokumente shtesë për të kryer vizitat mjekësore, pasi mjafton kodi i pacientit. “Nuk duhet të kërkojnë librezën e kontributeve, nëse pacienti ka kartë shëndetit ose librezë shëndetësore të vlefshme”, shpjegohet nga FSDKSH. Mirëpo, në realitet situata
paraqitet ndryshe. Fakti dëshmohet nga gra shtatzëna, të cilat janë paraqitur në maternitet për të përfituar shërbim falas, por përveç kartës së shëndetit u është kërkuar edhe libreza e kontributeve, çka tregon se nuk kemi ende një regjistër kombëtar online të integruar plotësisht, siç pretendohet. Sipas të dhënave të deritanishme numërohen mbi 100 mijë persona që janë pajisur me kartën e shëndetit, ndërsa gjatë këtij viti do të njihen të dy dokumentet, si karta e shëndetit edhe libreza shëndetësore, deri kur të
jenë zëvendësuar të gjitha. Ndryshe nga libreza, karta është e pajisur edhe me numrin personal dhe kodin e pacientit. Për individët që janë në marrëdhënie pune afati i përdorimit të saj do të jetë 6 muaj nga momenti i lëshimit; Për personat e vetëpunësuar, ky afat kohor do të jetë vetëm 3 muaj; Për fëmijët 012 muajsh do të jetë me afat 1vjeçar, ndërsa për ata mbi 1 vjeç do të përdoret nga data e lëshimit deri në 18 vjeç. Përdorimi i saj do të jetë pa afat për pensionistët, invalidët, veteranët, personat pa pension pleqërie.
/Gazeta-shqip.com