Obama i përgjigjet letrës së një 9-vjeçareje
“Pse nuk ka fytyra grash në monedhat apo kartëmonedhat e dollarit?”
Vajza e vogël e cila pyeti Obamën vitin e kaluar pse nuk ka ndonjë grua në monedhat e SHBA, më në fund ka marrë një përgjigje nga Presidenti. Ajo gjithashtu është ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të festuar Pashkët. Presidenti Obama vitin e kaluar përmendi se kishte marrë një letër nga një vajzë të vogël e cila i kërkonte atij të vendoste fytyrën e një gruaja në monedhën amerikane. Këtë letër ai e quajti si një ide mjaft të mirë. Kjo letër ishte nga Sofia, një vajzë nga Massachusetts e cila sapo kishte përfunduar klasën e tretë në atë kohë.
“Unë isha në mësim duke studiuar Ann Hutchinson, e cila bëri lëvizjen për të drejtat e grave”, tha Sofia. “Kështu vura në dukje se të gjitha monedhat kanë fytyra meshkujsh, kështu që më lindi pyetja pse ne nuk kemi femra në monedhat tona?”
Sofja, 9-vjecare shkoi në shtëpi me një ide të vetme në mëndje. Për t’i dërguar presidentit këtë kërkesë duke i listuar një grup grash të rëndësishme për SHBA. (Mamaja e Sofisë ia dha letrën revistës “TIME”)
Për një kohë të gjatë, vogëlushja nuk mori asnjë përgjigje nga presidenti, por i babai i saj e vuri në dijeni se ai e kishte përmendur në një fjalim gjatë një konference.
Në muajt që kur Sofia i shkroi presidentit, nisi një fushatë për të vënë një grua në kartëmonedhën 20-dollarëshe. Lëvizja e quajtur “W20” nisi një sondazh online në mënyrë që publiku të mund të votojë se cila femër meriton të zëvendësojë Andrew Jackson. Grupi planifikoi të paraqesë një kërkesë drejtuar presidentit Obama dhe Sekretarit të Thesarit për të plotësuar këtë sugjerim. Gati 220.000 njerëz kanë votuar në anketën online dhe Sofia, e cila tani është në klasën e katërt, është ambasadorja më e re e fushatës.
Edhe pse ajo është një tifoze e vjetër e Ann Hutchinson, Sofia do që të shohë Rosa Parks në kartëmonedhën 20-dollarëshe. “Ajo çka bëri Parks ishte me të vërtetë e rëndësishme,” thotë ajo. “Po të mos ishte për të, ne do të ishim ende të ndarë.”
Muajin e kaluar, Sofia më në fund mori një letër të personalizuar nga Presidenti, së bashku me një ftesë për të marrë pjesë këtë vit në Shtëpinë e Bardhë për Pashkë. Ja se çfarë i ka shkruar Presidenti Obama vogëlushes:
“Gratë e propozuara dhe të listuara nga ju përbëjnë një grup mbresëlënës. Dhe mua më duhet të them se ju gjithashtu jeni mjaft mbresëlënëse.”
“Do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që ti dhe moshatarët e tu të rriteni në një vend ku gratë kanë të njëjtat të drejta si burrat, dhe unë shpresoj se do të qëndroni e përfshirë në çështjet që kanë rëndësi”, shkruante në letër Obama. “Në qoftë se fokusoheni në shkollë dhe përpiqeni të ndihmoni të tjerët sa herë që mundeni, mund të arrini gjithçka.”
Sofia dëshiron të bëhet një mësuese ose shkencëtare kur të rritet, pasi një mik i saj u diagnostikua me kancer, ajo dëshiron të studiojë mbi kurat e kësaj sëmundjeje. Por ajo gjithashtu ka disa këshilla për fëmijët e tjerë të moshës së saj që duan të bëjnë një ndryshim.
“Shkruani një letër për dikë me rëndësi”, thotë ajo, “sepse diçka mund të ndodhë dhe mund të sjellë një ndryshim të madh.”
Marrë nga: www.tiranaobserver.al