Xhani De Biazi do të përfitojë “rritje rroge” nga nënshtetësia shqiptare
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dekretoi sot nënshtetësinë shqiptare Xhani De Biazit, trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit. De Biazi mori pasaportën shqiptare gjatë vizitës që Nishani zhvilloi në grumbullimin e kombëtares kuqezi, një ditë para ndeshjes decizive me Armeninë.
Zgjedhja e De Biazit për t’u bërë shqiptar do të sjellë disa të ardhura më shumë në “xhepin” e trajnerit. Ai do të përfitojë një “rritje rroge” pasi ardhurat që ai merr nga drejtimi i kombëtares nuk do i taksohen më si shtetas italian, por si shqiptar, duke përftuar kështu taksa rreth 20% më të ulëta. Në Itali, rroga e tij prej 280 mijë euro në vit, tatohet me 42% ndërsa në vendin tonë tatimi maksimal mbi të ardhurat është 23%.
Disa kohë më parë, De Biazi e ka bërë të qartë dëshirën e tij për t’u bërë shqiptar, gjatë një interviste për “Tifozat Kuq e Zi” ai ka thënë: ““Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak”.
Të hënën, në konferencën e tij të fundit për shtyp, ai bëri të ditur se po përvetësonte edhe “Himnin e Flamurit”, të cilin e kishte dëgjuar shpesh gjatë kohëve të fundit në “YouTube”, ndërsa premtoi se pasi të merrte shtetësinë shqiptare, do të provonte edhe ta këndonte.