ITALI/ Xhenova i thotë “PO” legalizimit të kanabisit
Këshilli Komunal i qytetit italian të Xhenovës ka aprovuar një mocion drejtuar Parlamentit, duke i kërkuar të legalizojë derivatet e kanabisit ose ato që quhen “droga të lehta”.
Sipas përfaqësuesve të Këshillit Komunal kjo nismë do të ulë trafikun e drogës.
Ky mocion ka marrë 23 vota pro dhe vetëm 3 kundër. Dokumenti i kërkon kryebashkiakut të Xhenovës, Marco Doria, të “aktivizojë legalizimin duke favorizuar iniciativa informimi mbi efektet e dëmshme të abuzimit me substancat narkotike”.
Ky është komenti i kryebashkiakut Marco Doria: “Drogat, të lehta apo të rënda qofshin, janë të dëmshme. Por, ka disa që mund të përdoren për qëllime terapeutike. Problemi është si të kundërshtojmë shpërndarjen e diçkaje që i bën keq shëndetit. Në këtë kontekst, mocioni i referohet një neni ligjor që nuk është i efektshëm. Jam shumë dakord me mocionin.”