Zgjedhjet e 21 Qershorit: Katër partitë e mëdha shkelin afatet ligjore për ngritjen e KZAZ-ve
Data 8 Mars ishte afati i fundit për propozimin e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), por asnjë nga partitë politike nuk ka paraqitur emrat e anëtarëve.
Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane janë subjektet politike që duhet të propozojnë anëtarët e KZAZ-ve.
Kjo vonesë ka ngjallur reagimin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë në të cilin fajësohen partitë politike që nuk e kanë zbatuar këtë detyrim ligjor.
Në këtë reagim ngrihet shqetësimi për mosrespektimin e standardeve, paplotësinë e e kuadrit ligjor zgjedhor dhe mungesën e vullnetit politik për t’i adresuar ato.
Ngritja e KZAZ-ve është një nga proceset që duhen përgatitur për realizimin e zgjedhjeve të datës 21 Qershor 2015.
Ky proces ka ngecur për shkak të paplotësisë ligjore dhe vonesës së ndyshimeve në Kodin Zgjedhor, që diktohen nga ligji i ri i ndarjes administrativo-territotiale.
/GazetaShqip