Skandali i patentave në Fiks Fare; Si merret një patentë pa kryer asnjë ditë kurs
Emisioni investigativ “Fiks Fare” transmetoi në emisionin e të mërkurës një video skandal për punën e sekserëve që të ndihmojnë për t’u pajisur me patentë pa bërë asnjë ditë kurs, asnjë ditë praktikë por duke paguar dyfishin e çmimit.
Gazetari i Fiksit u paraqit në autoshkollën A&B në Shkodër ku u interesua për t’u pajisur me patentë pa kryer asnjë ditë kurs, por thjesht duke i ofruar para.
Në pamjet e regjistruara nga kamera e fshehtë, shihet pronari i autoshkollës që pasi bën ‘pazar’ i ofron një ulje meqënëse ‘klienti ishte me bashkëshorten e tij’, që të dy për patentë.
Në përfundim u ra dakort për shumën 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra për dy patenta me garancinë e vetë pronarit të autoshkollës së në ditën e testimit mjaftonte vetëm prezenca, edhe nëse lihej fleta bosh.
Pronari i autoshkollës merr menjëherë 700 mijë lekë të vjetra, ndërsa 500 mijë të tjera pas daljes nga provimi. Gazetari i Fiksit u paraqit në ditën e dhënies së testimit ku i ka dorëzuar pronarit të autoshkollës edhe 300 mijë lekë të vjetra të tjera.
Më pas ai është shoqëruar nga punonjësit e autoshkollës drejt provimit të teorisë me udhëzimin e qartë; hy, mos shkruaj asgjë, firmos dhe dil pas 20 minutash.