Unioni i Gazetarëve dënon përdhosjen e etikës; Peka: Vendim racist i Unionit; Artan Fuga: “Pse me Çim Pekën e gjetën të afirmohen në publik?”
Fyerjet mes të ftuarve dhe thyerja e etikës në emisionin “Opinion” janë bërë mëse e zakonshme për publikun. Por debati mes analistit Andrea Stefani dhe gazetarit Çim Peka, kanë tërhequr vëmendjen e Unionit të Gazetarëve. Unioni e ka dënuar gjuhën e përdorur të gazetarit ndaj Stefanit.
Deklarata e Unionit të Gazetarëve merr shkas nga ky rast, por duke kërkuar prerazi “Ndal dhunës verbale dhe përdhosjes së etikës në debatet televizive!”
Më tej në deklaratë thuhet: “Në debatet e disa prej kanaleve televizive raste të tilla po bëhen më të shpeshta dhe priren drejt një agresiviteti pa etikë dhe që cenojnë rëndë dinjitetin dhe pozicionin profesional.
Rasti i fundit ngjau në emisionin “Opinion” ku gazetari Çim Peka fyeu gazetarin- analist Andrea Stefani me një zhargon që jo vetëm shkel etikën e komunikimit dhe Kodin Etik, por që e degradon përballjen dhe dialogimin publik mes kolegësh në shëmbëlltyrë të sjelljes dhe polemikës konfliktuale që gjeneron politika dhe protagonistët e saj, shpesh në skenën politike të vendit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon sjellje të tilla dhe apelon që kolegët dhe analistët të ikin nga kurthe të tilla që në fakt janë shprehje jo e forcës, por e dobësisë për të mbështetur pikëpamjen me argumente dhe logjikë”.
Pas deklaratës së Unionit, kanë reagur figura të ndryshme mediatike si dhe vet gazetari Peka. Peka ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook ku e quan vendimin e Unionit racizëm ndaj gazetarëve që mendojnë ndryshe: “… se po nuk pate lindur në kohën e Enverit në Tiranë, e aq me keq, po pate ardhe nga verilindja e vendit, nuk mund të jesh i denjë për të jetuar si gazetar në Tiranë. Gjithsesi, vetëm keqardhje për “fletë rrufenë” e “Unionit të Gazetarëve të Drejtorisë së Policisë”.
Një tjetër reagim për këtë ceshtje ka ardhur edhe nga prof. Artan Fuga i cili shpreh në profilin e tij të Facebook qëndrimin kundër vendimit të Unionit për arsyet e mëposhtme:
- Nuk e di nëse ky Union ekziston realisht dhe është i angazhuar edhe për qindra probleme të tjera të rënda dhe të trishtuara që kanë gazetarët, sidomos gazetarët e rinj. Pse me Cim Pekën e gjetën të afirmohen në publik? Nuk më pëlqejnë sjelljet selektive sepse cënojnë barazinë e trajtimit të gjithçkaje e të gjithëve
- Sepse do të doja një reagim nga Unioni kundër ndonjë politikani, shtetari, bosi të medias, që fyen dhe torturon profesionalisht dhe moralisht gazetarët, apo kundër ndonjë gazetari apo medieje që poshtëron një qytetar, shpif ndaj tij, e nëpërkëmb..
- Mesa kam venë re në “Opinion” ka debate shumë të nxehta. Eshtë nje zgjedhje e bërë nga emisioni, si një ring. Madje është edhe një zgjedhje e bërë edhe nga analistët që shkojnë atje duke qënë të informuar se po shkojnë në ring për të bërë spektakël duke i dhënë grushte njeri tjetrit. Dhe në një ring nuk ka kuptim t’i thuash tjetrit përse më gjuajte me grusht..
- Sepse Cim Peka është një gazetar opozitar dhe në çdo rast dhe me cdo qeveri, pavarësisht ngjyrave politike, Unioni i Gazetarëve duhet të ketë kujdes dhe t’i mbrojë e jo t’i sulmojë këta gazetarë sepse kjo është detyra e tij. Përpara sesa t’i kritikojë, mund ta nisë kritikën me mbrojtësit e pushtetit. Përndryshe duket si servil…
- Sepse Unioni ka bërë spektakël duke e publikuar qendrimin në media, spektakël i pastër, kurse mund t’a kishte këshilluar Cim Pekën me një letër personale, me një bisedë miqësore, etj.,