Berisha nis fushatën elektorale me tritol (?), shkruan Mero Baze
Ka një shpjegim sipas Mero Bazes për serinë e sulmeve me tritol ditët e fundit. Në editorialin e tij që e publikon çdo mbrëmje në TemA, Baze shkruan se “Rifillimi i fushatës (së tritolit) është tërësisht i komanduar dhe qëllimi është heqja e frikës nga shteti. Fushata e dytë e tritolit, synon ta bëjë shtetin të prekshëm, të zakonshëm, të vdekshëm dhe mbi të gjitha, të poshtërueshëm”.
Po aty, Baze shton: “Aktorët e fushatës mund të jenë të shumtë, por janë të gjithë me angazhim politik”.
Sipas Bazes, kjo nuk është një fushatë që kërkon të vrasë njerëz dhe as ka ndërmend të bëjë masakra, “por thjesht të krijojë idenë se këtë shtet mund ta shkatërosh me tritol. Është një mësymje e re pranverore, ose siç e paralajmëroi Basha disa kohë më parë “pranvera shqiptare”.
Shkruan më tej:
“Gjestet e tyre janë simbolikë e një fushate kërcënuese ndaj pushtetit. Përzgjodhën prindërit e ministrit të Brendshëm jo për t’i vrarë, por për t’u treguar që mund t’i vrasin. Zgjedhin shkolla dhe rrugë publike për të dëshmuar që qytetarët nuk ka kush i mbron. Nuk është viti 1997, kur dikush qëronte hesapet me dikë pasi shteti ka rënë. Është koha për të rrëzuar mitin e shtetit dhe për t’i futur qytetarët para dilemës, ose me këtë pushtet nën tritol, ose me ne. Është në fakt fillimi i fushatës elektorale të fundit të Sali Berishës dhe po e nis siç di ai ta nisë, me tritol”.
Mero Baze shton se:
“Fushata e tritolit nuk është as fenomen shqiptar dhe as traditë e mafies shqiptare. Ajo nisi e dirigjuar papritur një vit e ca më parë, u ndërpre për gati një vit dhe filloi sërish me telekomandë. Mos prisni të gjeni dhjetëra njerëz të frustruar, që Sali Berisha i përdor si kamikaz që shkrepin telekomandat e tritolit. Duhet ndalur telekomanda e fushatës. Ajo është politike dhe është në makth për rimarrjen e pushtetit me çdo çmim. Tani, ai ka nisur të besojë se nëse nuk arrin të fitojë gjë as në këto zgjedhje, siç nuk do të fitojë, ëndrra e tij për t’u rikthyer bëhet shumë e largët. Dhe do luftë. Mos iu trembni kësaj lufte. Është një luftë që duhet bërë një ditë me të. Kujtohuni pse e pushoi luftën me tritol herën e parë. E pushoi se policia marshoi në vatrat e krimit të tij në Lazarat dhe Dukagjin dhe atij iu desh të merrej me atë problemin që iu hap. Nëse doni ta çaktivizoni atë telekomandë, prekeni atje ku i dhemb. Tek ajo qendër pushteti, që dirigjoi për tetë vite Shqipërinë dhe e ktheu familjen e tij në milionere, që tani tallen duke paguar kamikazë me tritol. Vetëm kështu telekomanda që komandon tritolin do fiket dhe ai do bëhet “më i zi se këpuca”, kur të shikojë se jo vetëm s’ka për t’u kthyer në pushtet, por ndoshta as në familje”.