“Dhuna në shtëpitë tona, po aq e rrezikshme sa terrorizmi në botë”
Deputetja e PD-së Majlinda Bregu ka botuar një reagim ndaj dhunës ndaj gruas, marrë shkas sidomos nga rastet e shtuara së fundmi.
Duke i vënë emrin feminicid dhunës ndaj gruas, Bregu shkruan në profilin e saj në Facebook se “dhuna në shtëpitë tona është po aq e rrezikshme sa terrorizmi në botë”.
Shkruan Bregu:
“Një tjetër grua u vra sot në Fier nga bashkëshorti, një tjetër u godit barbarisht në Bulqizë, një tjetër u godit me gur dje në Rubik, 2 vajza të reja u vranë brenda 2 javëve!
Ky është TERRORIZEM I PERDITSHEM!
Eshtë terrori me të cilin jetojnë gra, e fëmijë, nëna e baballarë sot, përditë, të kërcënuar, dëmtuar e nën frikën se asgjë nuk e ndal dot fatin e keq!
Ky është FEMINICID! Dhe në mënyrë urgjente e duke i vënë emrin se DHUNA në shtëpinë tonë është po aq e rrezikshme sa Terrorizmi në botë.
Po i bëj thirrje të gjithë vendimarrësve e politikë bërësve,duke nisur nga Presidenti, Kryeministri e të vetët në qeverinë që vec strategjive paradë, dëshpërimin ka rilindur deri më sot; ne në Parlament, Pushteti lokal, Prokurori i Përgjithshëm, KLD, Kryetarët e Gjykatave, Shoqëria Civile e Media,të përfshihemi po me aq seriozitet sa duam të përfshihemi në frontin kundër kërcënimit nga terrorizmi në botë, në një shkundje institucionale e të agjensive ligjzbatuese për të bashkërenduar marrjen e masave emergjente dhe afatgjata, kundër këtij Terrorizmi të përditshem që quhet FEMINICID!”.