Lista e institucioneve shtetërore që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore
Rreth 53 mijë subjekte, nga të cilat 1407 institucione publike buxhetore, nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore punëtorëve të tyre të deklaruar gjatë tetë viteve të qeverisë së kaluar. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, e bëri këtë deklaratë gjatë analizës një vjeçare të punës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke theksuar se 2015 është viti i luftës ndaj informalitetit në punë.
Duke nënvizuar rëndësinë që ka marrë nga 1 janari 2015 deklarimi i plotë i pagës dhe derdhja e kontributeve shoqërore me zbatimin e reformës së re të pensioneve, Veliaj tha se borxhi që subjektet në fjalë i kanë Institutit të Sigurimeve Shoqërore arrin në 109.5 milion dollarë. “Në total, numri i subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punëtorë të deklaruar është 53.060 subjekte, nga të cilat 1407 janë institucione publike buxhetore, kurse 51.653 janë subjekte private. Në total, ato kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve”, deklaroi ministri Veliaj.
Ai përmendi disa nga institucionet më të rëndësishme si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, ALUIZNI, QSUT-ja etj. të cilat gjatë tetë viteve të qeverisjes së kaluar nuk u kanë paguar sigurimet punonjësve të tyre, duke u rrezikuar kështu edhe një pjesë të mirë të pensionit./TemA