SkaNdal shfaqet te E-Jona
Kristina Millona, per pafokus.com
Në kafe-bar “E Jona “ u shfaqen dy dokumentarë me tematikë sociale. Me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit, dokumentarët shpalosën për publikun me ndjeshmëri sociale historitë personale të shkëputura nga jeta e individëve të margjinalizuar në shoqëri. Dokumentari i parë me metrazh të shkurtër por me një pasqyrim të plotë rreth jetës së një fëmije invalid, rrëfeu përpjekjet e pamposhtura të djalit në luftën e tij të përditshme me vështirësitë që i shfaqen për shkak të kufizimit të tij fizik.
Ndonëse një tematikë e konsumuar, dokumetari nuk ra në përsëritje por shpalosi mungesën e faciliteteve për këtë shtresë individësh të cilët jo vetëm nuk bëhen dot pjesë e ambjenteve shplodhëse e argëtuese si kinemaja, teatri , muzeume, por gjejnë vështirësi në spitale, shkolla e vende të tjera.
Dokumentari i dytë kaloi në një tematikë më të nxehtë për një shoqëri ende patriarko-maskiliste si kjo e jona. “Ska-ndal” ishte dokumentari i shfaqur, i kurorëzuar me çmimin “Best film” në festivalin e Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë, mbajtur në Pogradec.
Dokumentari pasqyron një historik të shkurtër të lëvizjes LGBT në Shqipëri, mobilizimi i individëve të këtij komuniteti si dhe mbështetës të tyre deri në formimin e një platformë sociale të gjerë aktivistësh . Ashtu sikurse dhe në dokumentarin e parë të shfaqur, dhe në të dytin human story është në qendër, ku pjesëtarë të komunitetit nuk kamuflojnë më fytyrat e tyre por paraqesin hapur identitetin e tyre seksual, ende jo të mirë-artikuluar për opinion shqiptar.
Ata rrëfejnë vështirësitë në familje dhe shoqëri pas vetëdeklarimit si homoseksualë si dhe barrierat që duhet të thyejnë për t’i treguar shoqërisë që janë qenie mëse normale. Impresionuese ishin metodat me anën e të cilave individët e këtij grupi kishin rënë në kontakt me njëri tjetrin, duke kuptuar se nuk ishin vetëm . Fillimisht takimet bëheshin nëpër party private, më pas kaluan në afishimin e broshurave nëpër pemë, çiklizmi në formën e një parade në ditën botërore kundër homofobisë 17 maj si dhe dalje publike në emisione të ndryshme televizive.
“E jona” u kthye sërish në një ambient të ngrohtë replikash diskutimi dhe ngacmimi të ndërgjegjies kolektive.
Përgatiti Kristina Millona