Gojëndyrët duhen mbajtur larg gazetave online, shkruan Mustafa Nano
Por një gjë duhet bërë, megjithatë. Lexuesit gojëndyrë duhen mbajtur larg prej gazetave online
Mustafa Nano shkruan sot në gazetën Shqip në lidhje me komentet e lexuesve nëpër faqet online. “Është e mundur të biem dakord të gjithë me censurimin e këtyre komenteve? Apo s’është e thënë që të biem dakord që të gjithë?”, pyet Nano.
“Në fakt, ekzistojnë disa website shqiptare që bëjnë censurimin e komenteve të ndyra, por në rrethana të tilla ekziston mundimi i zgjedhjes mes audiencës së madhe nga njëra anë e standardit etik nga ana tjetër. Audienca e madhe e një website që, sipas shumë gjasash, vjen edhe prej lirisë që kanë lexuesit për t’u shprehur pa kufizime në atë ëebsite (audienca nuk shpjegohet veç me këtë, sidoqoftë), shoqërohet me përfitime të natyrës financiare (në formë reklamash), ndërsa respektimi i një standardi etik shoqërohet me kënaqësi e mirënjohje të natyrës jo materiale. Kuptohet, nuk është e lehtë ta zgjedhësh këtë të dytën. Por një gjë duhet bërë, megjithatë. Lexuesit gojëndyrë duhen mbajtur larg prej gazetave online. Në mos, ka për të ardhur një ditë që gazetaria online do të jetë e tëra në funksion të tyre”.