Edhe pas 50 kërcënimeve me vdekje nuk ndalon së ndihmuari fëmijët nuse!
Ndërkohë që Kriti Bharti eci drejt derës së përparme të një shtëpie rurale gati të rrënuar pranë Jaipur, në shtetin perëndimor indian të Rajasthan, zemra e saj po rrihte shumë shpejt. Ajo e kishte planifikuar këtë mision gjatë tre ditëve të fundit – që kur mori një telefonatë anonime ku i thanë se një familje po përpiqej që të martonte vajzën e tyre tetë-vjeçare me djalin 11-vjeçar të një të afërmi. Kriti ishte e vendosur që ta parandalonte këtë gjë dhe ta shpëtonte vajzën.
Ajo e dinte se nuk do të ishte e lehtë. Të luftosh traditat e vjetra në Indi është plot me rreziqe. “Disa familje ortodokse do të bënin gjithçka për të mbrojtur traditat e tyre me rrënjë të thella dhe nuk do ta mendonin dy herë për të lënduar apo edhe vrarë gjithkënd, i cili do ti vinte shkopin midis rrotave, ” thotë Kriti. “Kështu që, më është dashur të jem e kujdesshme.
Ajo e dinte nga përvoja se të kontaktoje policinë do të ishte e kotë sepse familja menjëherë do ti mohonte veprimet e saj dhe do të rrinte e qetë për disa javë, dhe do të vazhdonte me martesën e fëmijës më vonë. “Unë duhet ta shpëtoja vajzën dhe të sigurohesha që ajo nuk do të martohej kundër dëshirës së saj në një moshë kaq të re.”
Nuk ishte hera e parë që kjo grua e re është përpjekur që të shpëtojë një fëmijë – nuse nga një martesë me mblesëri. Gjithashtu nuk ishte hera e parë që jeta e saj ishte në një fije floku. “Gjatë pesë viteve të fundit që unë kam filluar të punoj për të ndaluar martesat e fëmijëve, kam ndihmuar në anulimin e mbi 150 martesave fëmijësh,” thotë ajo. “Unë kam marrë më shumë se 50 kërcënime nga familje që më paralajmëronin për pasoja të tmerrshme, madje edhe vdekje nëse do të ndërhyja në çështjet e tyre personale.”
Kriti është kërcënuar jo vetëm nga familjet, por edhe anëtarët e këshillave të kastave dhe madje edhe politikanët vendorë, por ajo nuk pranon të frikësohet. Fatmirësisht, deri tani ajo nuk është lënduar seriozisht.
“Kërcënimet me vdekje janë bërë një pjesë e jetës sime tashmë dhe unë i kam pranuar ato si pjesë e kësaj pune,” thotë ajo.
Kriti nga Jodhpur, në Rajasthan, është një aktiviste anti –martesave për fëmijët e vlerësuar me çmime, e cila ka punuar për të ndihmuar fëmijët për më shumë se pesë vjet. Ajo e vetme themeloi donacionin e bamirësisë Saarthi në vitin 2012 për të ndihmuar viktimat e krizës në Indi nga martesa e fëmijëve dhe të krijojë një tjetër donacion bamirësie, Badhtey Kadam, për të ndihmuar fëmijët e varfër në rrugë që po mundohen të përmirësojnë jetën e tyre.
Sipas një raporti të vitit 2009 të Unicefit me titull “Gjendja e Fëmijëve nëpër Botë’, gati gjysma e martesave të fëmijëve në botë – 40 për qind – ndodhin në Indi. Raporti vazhdoi me një lajm tronditës që thoshte se 56 për qind e grave të anketuara ishte martuar para moshës 18 vjeç në zonat rurale.
Kriti, megjithatë, mendon se është e pamundur që të konfirmohet një numër. “Në Indi, miliona fëmijë janë martuar nga familjet e tyre që kur janë në djep. Dhe familjet janë shumë të zonjat që ta mbajnë të fshehtë që të mos kenë veprime ligjore. Kjo është arsyeja pse unë jam e bindur se është e pamundur të dimë numrin e vërtetë të martesave të fëmijëve.”
Ndërsa në shumë raste, vajza shkon për të jetuar me burrin e saj pasi ajo arrin moshën e pjekurisë, në disa raste, vajza shpesh largohet nga krahët e sigurtë të familjes së saj dhe shkon për të jetuar me vjehrrit në moshën shumë delikate shtatë apo tetë vjeç. “Ishte e tmerrshme dhe unë isha e vendosur që të bëja ate pak që kisha mundësi për ta ndaluar këtë praktikë të tmerrshme,” thotë Kriti. Ajo beson se mungesa e ligjeve të rrepta së bashku me traditën, fenë, dhe më e rëndësishmja mbështetjen e komunitetit Jati Panchayats – një grup i vetëcaktuar fshatarësh që e quajnë veten këshilli i kastës, dhe shpesh imponojnë pikëpamjet e tyre mbi çështjet sociale, martesat dhe madje edhe kontestet ligjore – janë arsyet kryesore se pse martesat e fëmijëve janë ende një çështje kaq e përhapur.
“Ligjet e sotme i japin njerëzve lirinë për të zgjedhur dhe të jetojnë jetën e tyre siç dëshirojnë, kështu që martesat e fëmijëve nuk janë gjë tjetër por një koncept i vjetëruar dhe India ka nevojë të menjëhershme të arrijë këto të drejta moderne të njeriut,” thotë ajo.
Në vitin 2008, Kriti vendosi të zyrtarizojë ndihmën ndaj fëmijëve në nevojë dhe të krijojë një organizatë bamirëse të quajtur Saarthi Trust. Misioni i saj është të ndihmojë viktimat e martesave të fëmijëve që të divorcojnë partnerët e tyre nëse janë të pakënaqur me marrëveshje apo ti shpëtojë ata edhe para se të martohen.
“Ne kemi ndalur disa ‘martesa’ para se të bëheshin zyrtare. Pra, në momentin që vajza mbush 18 vjeç, mosha kur ajo mund të largohet nga shtëpia e familjes së saj dhe të shkojë për të jetuar me burrin e saj, ajo mund të më kontaktojë mua për ndihmë. Unë bëj gjithçka mundem, duke përfshirë dhënien e ndihmës juridike për ta ndaluar atë nga detyrimi për të shkuar të jetojë me burrin e saj me të cilin ajo ka qenë e detyruar të martohet ndoshta që 15 vjet më parë. ”
Kriti ka sakrifikuar jetën e saj për të ndihmuar vajzat të cilat kanë shumë më pak fat. “Unë as që e kam idenë se kur do të kem kohë për tu martuar dhe të kem fëmijët e mi. Por tani për tani, kjo është e rëndësishme. Unë shpresoj se ajo çfarë po bëj, do të formësojë të ardhmen e bijave të Indisë.”
Kriti thotë se nuk ka rëndësi se sa shumë kërcënime vdekje merr, ajo kurrë nuk do të ndalet duke u përpjekur që të shpëtojë fëmijët – nuse. “Disa njerëz do të bënin çdo gjë për të mbrojtur nderin e familjes së tyre, por unë do të jap maksimumin tim për ndryshim. E di se jeta ime është në rrezik, por unë nuk mund të rri duarkryq dhe të shikoj këta fëmijë të vuajnë, thjesht nuk mundem, ” shton ajo.
Për më shumë klikoni në: fridaymagazine