Hapet Streha LGBT
Tirane, Dhjetor 2014
Qendra e parë rezidenciale për këdo nga komuniteti LGBTI që braktiset, ose që vuan nga dhuna familjare dhe e ambientit ku jeton, për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, u hap në Tiranë, duke shënuar një gur kilometrik për lëvizjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Përfituesit do të kenë një vend ku mund të strehohen për një periudhë tranzitore dhe të nisin një jetë të re, përmes programeve individuale që do ti aftësojnë të gjejnë punë e strehim të mëtejshëm.
Dy organizatat shqiptare “Aleanca LGBT” dhe “ProLGBT” janë bërë bashkë në përpjekjet e tyre për të ofruar këtë shërbim unikal në të gjithë Ballkanin dhe, ndër shërbimet e para të këtij lloji, në të gjithë Europën Lindore.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Erion Veliaj, Ambasadori britanik në Shqipëri z. Nicholas Cannon OBE, zv.Ambasadori i SHBA z.Henry V. Jardine, drejtoresha në zyrën e programeve në USAID, znj. Clare Masson, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) z. Andi Kananaj, drejtoresha e “Assist Impact” znj. Mathy Timm dhe të tjerë miq, ishin vizitorët e parë të këtij ambienti.
Dy drejtuesit e kësaj strehe dhe aktivistë për të drejtat e LGBTI, Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi i udhëhoqën miqtë në ambientet e rinovuara dhe, bashkë me stafin, u shpjeguan atyre sfidat me të cilat ky shërbim mund të përballet. Karaj tha se: “Ky është një shërbim konkret që ne po japim për t’u ardhur në ndihmë atyre pjesëtarëve të komunitetit që të mos jenë më të detyruar të durojnë dhunën dhe presionin brenda familjeve dhe shoqërive ku jetojnë por të kenë një mundësi më shumë në ato momente kur ndjejnë rrezik”. Ndërsa Pinderi nënvizoi se: “Dhunën ndaj komunitetit LGBTI në Shqipëri jo detyrimisht ne e shikojmë çdo ditë nëpër rrugë! Ajo është një dhunë sistematike që ndodh brenda familjes dhe në shkollë apo në ambientet e tjera publike, ndaj STREHA është mbi të gjitha një shërbim për viktimat LGBT të dhunës në familje”.
Ministri Veliaj u shpreh se: “Shërbimi Social në Shqipëri me këtë strehëz të pavarur për LGBT do të pasurohet”, pasi sipas tij: “nuk ka asnjë dallim nëse dikush përndiqet ose persekuptohet sepse shfrytëzohet nga trafikantët, nuk ka asnjë dallim nëse dikush përndiqet sepse ka një familjar të dhunshëm dhe nuk ka asnjë dallim në qoftë se dikush përndiqet ose dhunohet pse ka një orientim të ndryshëm seksual në familjen ose në komunitetin e vet”. “Kështuqë”, shtoi ministri, “duke qenë se nuk shikojmë asnjë dallim kur shkelen të drejtat e njeriut, nuk shohim asnjë dallim as në mënyrën se si u shërbehet atyre që u shkelin të drejtat, them se ky është një moment që na bën krenarë”.
“Një shqipëri europiane”, tha ai, “është një Shqipëri ku përfaqësohen të gjithë”.
USAID është mbështetësi kryesor i këtij projekti përmes organizatës “Assist Impact” që mundi të asistojë dy organizatat për t’i aftësuar ato në menaxhimin e projekteve komplekse, si kjo strehë. AMSHC është bashkëfinancues, ndërsa Ambasada Britanike ka lehtësuar një seri trainimesh për stafin, bazuar në përvojën e një strehe të ngjashme në Britaninë e Madhe, “Albert Kennedy Trust” (AKT), që funksionon që nga viti 1989 në disa qytete britanike.
USAID ndihet krenar të mbështesë organizatat LGBT teksa ofrojnë këtë shërbim. Për USAID mbështetja ka rëndësi jo vetëm sepse është cështje e të drejtave të njeriut, por edhe sepse është kritike të ketë një zhvillim gjithpërfshirës.
Ambasadori britanik tha se “kjo strehë kontribuon në jetët e atyre njerëzve, të cilët mund të ndodhen në proçesin e zbulimit të vetes dhe në proçesin e integrimit të tyre dhe për këtë arsye mendoj se ky shërbim do të jetë një arritje e madhe për vendin, ndaj ne e mbështesim atë”.
Jardine përgëzoi “ProLGBT” dhe “Aleanca LGBT” për përpjekjet e tyre për ta mundësuar këtë shërbim. Ai tha se: “është e rëndësishme të jemi pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët në mënyrë që ky komunitet të ketë një hapësirë të sigurt e të ndihmohet të jetë pjesë e barabartë e kësaj shoqërie”.
Shërbimi primar i “STREHES” është ai i strehimit për një periudhë që mund të zgjasë deri në 6 muaj, periudhë që përfshin edhe ofrimin e asistencës mjekësore. “STREHA”, bazuar në planet individuale për secilin përfitues harton dhe zbaton një axhendë të plotë ditore dhe periodike që përfshin kurse profesionale, kurse të tjera bazike (life skills), aktivitete social kulturore, etj, si dhe, ndërmjetëson për sigurimin sa më shpejtë të alternativave për strehim dhe punësim. Ka një staf prej 12 vetësh profesionistë, një kapacitet prej 8 shtretërish cdo natë (4 për vajzat dhe 4 për djemtë) dhe synon që të jetë një shërbim dhe një ndihmë me të paktën mbi 2000 shtretër-netë për vitin 2015.
strehalbgt.al