Luftojnë për atë që i takon
Gjatë konfliktit në Kosovë, policët serbë vranë burrin e Shyhrete Berishës, Nexhatin, dhe katër fëmijët para syve të saj.
Fëmija i saj më i vogël ishte më pak se dy vjeç, dhe më i madhi ishte rreth 16 vjeç. Shyhrete u qëllua në stomak. U mendua e vdekur, ajo u ngarkua në një kamion, së bashku me trupat e rreth 50 shqiptarëve të tjerë të Kosovës, të vrarë në qytetin jugperëndimor të Suharekës më 26 mars 1999.
Ajo dhe dy të afërm të saj, të vetmit të mbijetuar, u shpëtuan duke u hedhur nga kamioni në lëvizje.
Në atë kohë, Shyhrete nuk mund ta imagjinonte se mund të humbiste edhe më shumë se burrin e saj, dy vajzat dhe dy djemtë. Por ajo ka humbur edhe shtëpinë që jetonin bashkë.
Shtëpia i përkiste vjehrrit të saj. Pas luftës, thotë ajo, vjehrra e saj i tha: “Për çfarë të duhet shtëpia? Të gjithë kanë vdekur. Kjo është shtëpia jonë tani. “
Historia e Shyhrete-s është një shembull ekstrem i një problemi që ekziston në të gjithë Ballkanin, megjithëse zakonisht në një formë më pak dramatike – diskriminimit të grave në rastet e trashëgimnisë.
Në këto shoqëri patriarkale, pronat dhe pasuritë shpesh i kalojnë trashëgimtarëve meshkuj të familjes, duke përjashtuar gratë pamvarësisht të drejtës së tyre ligjore për të trashëguar.
Disa zyrtarë dhe aktivistë po përpiqen të ndryshojnë qëndrimet me anë të fushatave publicitare, dhe gratë janë duke luftuar për të drejtat e tyre përmes gjykatave. Por ata përballen me rezistencë të fortë nga tradicionalistët dhe janë shumë të dëshpëruar nga sistemet gjyqësore të ngadalta dhe të mbingarkuara.
Shyhrete thotë se burrat e familjes Berisha lidhën një marrëveshje gojore në vitin 1997 mbi ndarjen e pasurisë së familjes. Nexhati morri pjesë nga një shtëpi e madhe, ku ai dhe familja e tij jetonin. Vëllai i tij dhe, më vonë, djali i vëllait të tij, mori pjesën tjetër.
Megjithatë pas luftës, Shyhretja thotë se u kthye dhe e gjeti shtëpinë mbyllur. Familja e burrit të saj refuzoi ti jepte çelësat.
“Gjithçka që doja prej tyre ishte të më thonin se isha e mirëpritur në shtëpi,” kujton ajo në shtëpinë e prindërve të saj në Mushtisht, një fshat afër Suharekës.
Me ndihmën e organizatave bamirëse ndërkombëtare, Shyhretja morri trajtim jashtë vendit për plagët dhe traumat e saj. Tani jeton në Gjermani. Por ajo u kthye në Kosovë, këtë qershor për të çuar një padi në gjykatën e Suharekës për të fituar përsëri shtëpinë e saj.
Shyhretja duket më e vjetër se 52 vitet që ka në kurriz. Kur ajo përshkruan jetën e saj me Nexhatin, ajo qesh, por nuk ka buzëqeshje në fytyrën e saj. Ata kishin një jetë të mirë, tha ajo. Burri i saj ishte një nëpunës në qendrën kulturore lokale dhe ata mblidhnin qiratë nga dyqanet e vogla poshtë shtëpisë së tyre. Shyhretja kujdesej për fëmijët dhe shtëpinë.
Ajo filloi veprimin ligjor 12 vjet më parë, por avokati i saj nuk arriti ta çonte në gjykatë. Një avokat i ri, Ymer Koro, e mori përsipër në shtator 2012.
Koro thotë se ligji është i qartë, pasi pronë ju kalua burrit të Shyhretes, ajo tani i takon asaj. “Meqënëse ajo ishte e martuar ligjërisht, ajo ka të drejtën për të trashëguar,” tha ai.
Familja e burrit të saj e tregon ndryshe historinë. Kunati i saj, Xhelal Berisha, këmbëngul se prona ishte në emër të babait të tij. “Para vdekjes së tij, ai ma la mua me anë të një testamenti të shkruar,” Shyhretja dhe avokati i saj mohojnë se ekziston një dokument i tillë.
Koro thotë “Gjykatat janë të mbingarkuara, por ato gjithashtu nuk janë të gatshme të punojnë”.
Ligji kundrejt traditës
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një periudhe mbikëqyrjeje ndërkombëtare dhe më pas fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, e cila i dha fund sundimit represiv serb.
Neni 7 i Kushtetutës së Kosovës, e përshkruan barazinë gjinore “si një vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë”.
Sipas ligjeve të trashëgimisë dhe të Familjes, kur dikush vdes, pasuritë e tyre ndahen midis anëtarëve të familjes, ku bashkëshortët dhe fëmijët kanë prioritet. Nëse ekziston një testament, ai mund të përjashtojë vetëm anëtarët e familjes nga trashëgimia nën disa kushte specifike, dhe asnjë prej këtyre kushteve nuk ka lidhje me gjininë.
Autoritetet kanë ndërmarrë fushata për promovimin e barazisë gjinore, duke i inkurajuar çiftet që të sigurojnë pronësinë e shtëpisë së tyre duke e regjistruar në emrat e të dyve. Megjithatë, pronësitë e shtëpive shpesh nuk regjistrohen fare dhe, në se regjistrohen, bëhen vetëm në emër të mashkullit.
Një video për sensibilizim që kanë shpërndarë autoritetet lokale dhe ndërkombëtare thotë “Ju mund të bëni të lumtur të dashurit tuaj duke ndarë çdo gjë me ta,” thotë narratori. “Prona ju takon të dyve, regjistroni pronën tuaj të përbashkët.”
Por traditat e vjetra vdesin vështirë. Shumë njerëz besojnë ende se prona duhet të kalojë përmes linjës mashkullore, së bashku me emrin e familjes. Sipas Agjencisë Kadastrale, më shumë se 79 përqind e pronave të regjistruara në Kosovë janë të regjistruar nën emra të gjinisë mashkullore.
Në komunitetet tradicionale, kontestet pronësore janë vendosur nga takimet vetëm të pleqve meshkuj, duke u bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, një koleksion zakonesh të lashta shqiptare.
“Prona i takon vetëm mashkullit. Edhe nëse një familje nuk ka djalë, prona shkon tek kushërinjtë meshkuj, “tha Ali Pasoma, duke cituar Kanunin.
“Unë nuk mund tja jap pronën e familjes time, burrit të motrës, dikujt me një mbiemër tjetër. Nëse diçka e keqe ndodh me ta (motrën time dhe burrin e saj), unë do t’i mbroj dhe t’i ftoj ata të qëndrojnë në shtëpinë time. Por në qoftë se ata duan të marrin pronën time, ata nuk janë të mirëpritur për të vizituar shtëpinë time,”tha ai.
Varfëria luan rol
Valbona Salihu, drejtore ekzekutive e Norma, thotë se edhe kur gjykatat vendosin në favor të së drejtës së gruas për të trashëguar, realiteti mund të jetë më i komplikuar.
Dy vjet më parë, burri i një gruaje 30-vjeçare që jeton në veri të Kosovës vdiq nga një atak në zemër. Një gjykatë vendosi se ajo ishte trashëgimtarja e ligjshme e një apartamenti të regjistruar në emër të burrit të saj, gruaja i tha BIRN-it me kusht që emri i saj të mos përdoret në këtë artikull.
Dhënia me qira, ose shitja e banesës mund ta ndihmonte me të ardhura shumë të nevojshme për të. Por vjehërrit e saj refuzuan të pranojnë vendimin e gjykatës. Ata ende jetojnë në pronë, ndërsa ajo i rrit dy fëmijët e saj në një apartament me qira.
Një varg institucionesh ka për qëllim të sigurojë se Kosova të mbështesë të drejtat e grave, duke përfshirë edhe Agjencinë për Barazi Gjinore, e cila ka 17 punëtorë, dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Megjithatë, asnjë nga institucionet nuk mund të japë statistika se si shumë gra kanë çuar rastet e trashëgimisë nëpër gjykata.
Grupi i avokimit, Norma, ka mbledhur statistika të tilla direkt nga gjykatat. Hulumtimi tregon se gratë i çojnë rastet e trashëgimisë në gjykatë – por më rrallë se burrat. Një raport nga grupi, që analizon të dhënat e gjykatës nga viti 2008 dhe 2009, gjeti gjithashtu se burrat kishin tre herë më shumë gjasa për të trashëguar se sa femrat.
Haxhi Gashi, një profesor i së drejtës civile në Universitetin e Prishtinës, thotë se mungesa e statistikave zyrtare reflekton dështimin e institucioneve shtetërore për t’i kushtuar vëmendje çështjeve të trashëgimisë. Megjithatë, ai beson se njerëzit informohen dita ditës.
Fehmije Gashi-Bytyqi, një avokate 49-vjeçare në Prishtinë, po ashtu thyen traditën. Ajo nuk ka trashëguar asgjë nga prindërit e saj, por e ka blerë tashmë një apartament për vajzën e saj, e cila është vetëm 10 vjeç.
“Unë doja të isha një model për dy djemtë e mi dhe doja që ata të mësonin nga nëna e tyre se prona duhet të ndahet në mënyrë të barabartë, “tha ajo.
http://www.balkaninsight.com/en/article/fighting-for-their-fair-share