Tregu farmaceutik/Beqja: do te rrisin cilesine dhe sigurine, do te ulen cmimet. Reagon shoqata farmaceutike
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte i pranishëm në forumin e hapur të biznesit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për tregun farmaceutik.
Duke u ndalur tek situata në të cilën e ka gjetur këtë treg, ministri Beqaj tha se institucioni që ai drejton do të garantojë lirinë e tregut dhe konkurrencën e ndershme, duke eliminuar monopolet.
Beqaj ngriti shqetësimin se çmimet e barnave në vendin tonë shpeshherë janë më të larta se në vendet e BE, duke u shprehur se do të ulet çmimi i shitjes së tyre.
“Çmimet e barnave janë shpesh më të larta se në vendet e BE. Në zonat rurale shërbimi farmaceutik mungon. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës.
Ne do të rrisim cilësinë dhe sigurinë e barnave, duke shtuar kujdesin për indikacionet, në përputhje me standardet evropiane dhe njëkohësisht, do të rrisim kontrollin e cilësisë gjatë të gjithë zinxhirit të shpërndarjes së barnave”, tha Beqaj.
Për të rritur cilësinë e shërbimit farmaceutik, ministri Beqaj tha se do të krijohet një sistem gjurmimi për kontrollin e barnave në mbarë vendit.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë thotë se Qendra e Kontrollit të Barnave do të shndërrohet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore
Duke u ndalur tek pullat postare, ministri Beqaj tha se në 9 muaj të 2014-ës janë emetuar 34 779 549 pulla, 10 % më shumë se në të njëjtën periudhë të 2013, ku u emetuan 31 564 157.
Ndërkohë Shoqata farmaceutike ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Sipas kësaj shoqate ministria po bllokon ilaçet e kompanive më me emër që janë të regjistruara dhe të njohura në botë. Shoqata shprehet se në treg po futet një bar prodhim turk i paregjistruar.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në forumin për tregun farmaceutik theksoi se monopolet kanë ndikuar negativisht në këtë treg.
Marrë nga gazetatema.net