Erdogani, jo dhe aq i Madherishem
Andrew Finkel (ne foto poshte)/New York Times
Shekulli i Madhërishëm’, një telenovelë turke që portretizon aventurat e shfrenuara në derën perandorake të Sulejmanit, me epitetin ‘i Madhërishmi’, shkon përtej territoreve që ishin pjesë e Perandorisë Osmane në shekullin XVI. ‘Tokat’ e saj shtrihen nga Franca në Ukrainë, nga Republika Çeke në Japoni, me 150 milionë shikues ‘nën sundim’. Në Turqi seriali ‘ngrin’ të mërkurat në mbrëmje duke përpirë një të tretën e krejt audiencave televizive të vendit. Megjithatë, përballë e ka një gji të vogël rezistence që mund të jetë edhe rrënimi i saj: kryeministri Recep Taip Erdogan nuk e duron dot.
Erdogani gjeti kohë në një ceremoni përurimi të një aeroporti provincial për ta përshkruar serialin si karikaturë. Është gabim, sugjeroi ai, që një histori e fisme të reduktohet në një sagë intrigash shtëpiake. Sulejmani kaloi ’30 vjet mbi kalë’, tha ai duke nënkuptuar se sulltani nuk do të kish patur kohë për aq shumë histori me gra. ”Kemi lajmëruar autoritetet’, shtoi Erdogani. “Do të presim një vendim gjyqësor. Ata që luajnë me këto vlera duhet të nxjerrin një mësim brenda kufijve të ligjit”. Ligji kundër shijeve të këqija, me sa duket nuk vepron kur bëhet fjala për arkitekturën: ndërsa Kryeministri shfryn kundër një seriali televiziv që çshenjtëron të shkuarën, ai dhe bashkitë nën kontrollin e partisë së tij janë të zëna duke parodizuar historinë turke me një seri projektesh ndërtimi të keqkonceptuara në përpjekje për të ringjallur lavdinë otomane. ‘Shekulli i Madhërishëm’; u ndesh me britma protestash që në çastin kur fragmenti i parë u shfaq në janar 2011.
Nocioni i të hyrit në dhomën e gjumit të Sulltanit shkaktoi tronditje te turqit; ata janë mësuar t’i shohin patriarkët e tyre të mëdhenj si shenjtorë në ekspoze. Por tani që seriali është në sezonin e tretë, ka shumë më pak përkëdhelje dhe gjithashtu shumë më pak anakronizma marramendës. Atëherë pse ky zemërim i fortë i Kryeministrit? Një shpjegim popullor është se ai po përpiqet të tërheqë vëmendjen nga çështje më shqetësuese. Ai ka bërë propozime kontroversiale si ndalimi i abortit dhe rikthimi i dënimit me vdekje- masa të cilat nuk ka ndërmend t’i rishqyrtojë – edhe pse Turqia vuan me problemin e përhershëm kurd dhe me një ekonomi në ngadalësim. Pikëpamja ime është se Erdogani e sheh ‘Shekullin e Madhërishëm’ si minues të butë të autoritetit të tij. Në të njëjtin fjalim ku sulmoi telefilmin, ai mbrojti politikën e tij të jashtme përkundër kritikëve që thonë se preteksti i Turqisë për të ndikuar mbi ngjarjet në Siri apo Rripin e Gazës i kanë tejkaluar kompetencat e saj. Në fakt, drejtuesit e tanishëm të Turqisë shfaqin aspirata neootomane që frymëzohen nga një epokë e artë. Dhe mënyra se si ata i shprehin këto aspirata mund ta dëmtojë më shumë të shkuarën e Turqisë sesa melodrama sentimentale e ‘Shekullit të Madhërishëm’.
Një tribut otoman që Kryeministri mbështet me zemër është ndërtimi i një xhamie të madhe në kodrën e Kamlikas, prej nga shihet Stambolli. Dizajni i saj është një kopje e stilit të fortë otoman që shoqërohet me Arkitekt Sinanin, i cili pat ndërtuar Xhaminë Sulejmanie mbi Gjirin e Marmarasë. Xhamia e Sinanit është një zgjidhje fantastike e mëdyshjes së të ndërtuarit me gurë të një hapësire simetrike mbuluar me kupola dhe gjysmëkupola. Xhamia e sapolejuar e Erdoganit është një falsifikim i trashë që do të ndërtohet mbi beton të përforcuar. Edhe vetë shtypi islamik në Turqi është i tronditur nga banaliteti i saj. Më keq ende, Bashkia e Stambollit aktualisht po ndërton një linjë të re metroje përgjatë Gjirit të Marmarasë, një urë të varur që është shumë më e madhe dhe e zhurmshme sesa nevojitet për të mbuluar atë ngushticë ujore – dhe kjo do të pengojë pamjen e siluetës përherë të çmuar të kryeveprës së njëmendtë otomane, Xhamisë Sulejmanije.
Gazeta Mapo http://www.mapo.al/2012/12/02/erdogani-jo-dhe-aq-i-madherishem/