Vite pas emertimit te sheshit Uilson po veme me ne fund bustin 12 ore para vizites se Clinton (FOTO)
Foto nga Historia-ime.com
E dini sheshin Uillson në Tiranë? Ndodhet në hyrje të ish-Bllokut, një rrethrrotullim shumë i rrahur nga makina dhe këmbësorë. Në mes të sheshit ndodhet një lulishte e vogël në formë rrethi. Sot ka qenë e pamundur të kaloje. Makina policie dhe kamionë me inerte kishin zënë gjysmën e sipërfaqes. Kurioziteti i banorëve dhe kalimtarëve u shua shpejt. Po ngrihet një…bust. “Dhe duhet të mbarojë patjetër sonte” – dëgjohet t’i thotë i stresuar një nga punëtorët, shitëses së gazetave në cep të sheshit. Një vështrim mes turmës së punëtorëve që ulërisnin dhe përplasesish me njëri tjetrin në stres, të bën të kuptosh edhe kujt do t’i vendoset busti. Në një bazament të ngritur brenda ditës, lexohet emri i presidentit të 28-të të SHBA-ve. Busti duhet të jetë nesër gati me ardhjen e sekretares së shtetit Klinton. Me sa duket ideja ka qenë e “minutave të fundit”.
Sipas një axhende ende të papublikuar zyrtarisht, Klinton mbërrin në aeroportin e Rinasit rreth orës 10:00 të mëngjesit. “Rrugëtimi i saj drejt kryeqytetit do të shoqërohet nga qindra policë shqiptarë dhe agjentë sigurie amerikanë, që do të blindojnë jo vetëm rrugën, por edhe pjesën më të madhe të Tiranës”, – raporton Ora Neës. Sipas burimeve, pritet që autostrada Tiranë-Durrës të bllokohet për disa minuta, ndërkohë, të bllokuara gjatë ditës së nesërme do të jenë edhe një sërë aksesh rrugore në Tiranë, që të çojnë drejt institucioneve shtetërore ku Klinton do të zhvillojë takime.
Sekretarja amerikane e Shtetit pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Berisha në kryeministri, dhe më pas do të shkojë në presidencë, ku do të pritet nga presidenti Bujar Nishani. Axhenda parasheh dhe një takim me kryesocialistin Rama, që pritet të mbahet në ambjentet e Hotel Sheraton. Ndërkohë pritet që Sekretarja amerikane e Shtetit Klinton të mos flasë pas takimeve me krerët e shtetit, por do të japë mesazhet e SHBA për politikën shqiptare vetëm gjatë fjalimit të parashikuar dhe të konfirmuar që do të mbajë në Parlamentin e Shqipërisë. /Respublica