Përgjimet e Zërit të Amerikës hedhin dritë mbi blerjen e procesit të zgjedhjeve në Shqipëri
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative dhe gazetarja investigative Klodiana Lala, kanë kryer një investigim mbi procesin e blrejes së zgjedhjeve në Shqipër nga persona të përfshirë në aktivitete kriminale si dhe lidhjet e tyre me politikën.
Sipas investigimit, në Prokurori gjenden me dhjetëra dëshmi audio dhe dokumenta të përgjimeve të funksionarëve të lartë, të cilët vazhdimisht janë akuzuar për përfshirje me botën e krimit dhe në mungesë të provave të deritanishme, kanë akuzuar median si shpifëse dhe si trilluese e të tilla insinuatave.
Përgjimet në Durrës
Një nga personazhet e përgjuar, i cili prej muajsh akuzohet nga media dhe opozita si person i pvrfshirë me krimin dhe me bandën e Avdylajve, ishte kryebashkiaku aktual i Durrësit dhe njëkohësisht i konsideruar si krahu i djathtë i Kryeministrit, Vangjush Dako.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.
Përgjimet, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017. Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.
Por sipas përgjimeve, nuk ka qenë vetëm Dako në komunikim të vazhdueshëm me Avdulajt. Duket se një sërë funksionarësh publik të qytetit të Durrësit, kanë bashkëpunuar me bandën kriminale për favore personale. Në përgjime përfshihen dhe inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe punonjës të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Bashkia e Durrësit rezulton të jetë vetëm njëra prej zonave të influencës së grupit të dyshuar kriminal, ndërsa të dhënat hetimore tregojnë se ata janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash.
Blerja e votave
Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë sunduese e debatit politik në Shqipëri. Partia Demokratike në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur Partia Socialiste mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin.
Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.
“Të dyja këto parti [Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim] treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport.
Hetimet në qarqe të tjera
Një hetim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër. Provat e depozituara në prokurori, tregojnë për përfshirjen e zyrtarëve politikë lokalë në procesin e blerjes së votës nëpërmjet formave të ndryshme të korrupsionit apo dhe kërcënimeve.
Zgjedhjet në Dibër janë nën hetim pas materialeve voluminoze të dërguara në prokurori, ku janë mbi 60 CD me përgjime që priten të zbardhen e ku kauzohen me dhjetëra funksionarë publik të rrethit të Dibrës dhe Bulqizës, drejtues së policisë, zyrtarë të Tatimeve por edhe të Drejtorive Arsimore.
Qarqe të tjera problematike paraqiten gjithashtu Elbasanin, Shkodra, Kavaja dhe Lezha.
Reagimi i Kryeministrit
Mbi përgjimet e publikuara ditën e djeshme, sot reagoi dhe Kryeministri Edi Rama nga punimet e Parlamentit, i cili akuzoi dhe njëherë Zërin e Amerikës si një media të kapur dhe që i shërben opozitës.
“Është e dyta herë në një periudhë shumë të shkurtë, “Zëri i Amerikës” është bërë zëdhënës i opozitës shqiptare. Këtë herë mund të them vetëm kaq, asgjë e re nga froni tuaj. Një sallatë fjalësh e cila nuk ka asnjë shans të çorodisë asnjë shqiptarë të vetëm, zero”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se Zëri i Amerikës publikoi para disa ditësh rastin e punësimeve partiake në sistemin e drejtësisë dhe përgjigja e Kryeministrit ishte sërish e njëjtë, duke hedhur poshtë punën dhe duke i akuzuar menjëherë mediat si jo-profesionale dhe si të kapura nga kundërshtarët e qeverisë. /k.j
Burimi: Zëri i Amerikës