Pas Parkut të Zagorisë, Kanionet e Holtës në rrezik shkatërrimi

Pas Parkut të Zagorisë, i cili rrezikon të shkatërrohet prej kërkimeve për naftë nga kompania “Shell”, një tjetër monument natyror, me vlera të pallogaritshme dhe i zbuluar së fundmi është vënë në rrezik.
Bëhet fjalë për kanionin e Holtës në rrethin e Gramshit, një kryevepër e natyrës e cila vitet e fundit u soll në qendër të vëmendjes nga turistët e shumtë dhe të apasionuarit e rafting. Bukuritë e Kanionit, kanë sjellë përfitime të shumta për zonën përreth, duke e kthyer atë në një qendër turizmi dhe agroturizmi dhe duke promovuar zhvillimin ekonomik të të gjithë Bashkisë së Gramshit.
Ditët e fundit, kanë qenë vetë banorët e Gramshit dhe ambjentalistë të cilët kanë ngritur shqetësimin, duke kërkuar mbrotjen e kanionit të Holtës nga punimet që do të sjellin dëmtime të parikuperueshëm në zonën e shpallur monument kulture.
Banorët i referohen një leje ndërtimi për hidrocentralin e Strorit në përroin e Holtës dhe Seltës, veprim që ka sjellë reagimin e qytetarëve të shumtë. Qeveria duket të ketë miratuar lejen për këtë ndërtim në datën 27 prill të vitit 2018.
Në shkresë miratohen procedurat për heqjen e zonës së ndërtimit nga fondi pyjor si dhe pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila kalon në buxhetin e bashkisë së Gramshit. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me ministrinë e Energjitikës. Të dhënat janë publikuar dhe në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ku veç firmës së Ramës është dhe ajo e ish-ministrit Gjiknuri.
Ndërkohë aktivistët ambjentalistë dhe qytetarë kanë nisur mbledhjen e firmave përmes një peticioni online, duke kërkuar pezullimin e lejes së ndërtimit dhe mbrojtjen e kanionit, duke akuzuar dhe se kanë filluar punimet që po sjellin dëme të parikuperueshme në mjedis.
Peticionin mund ta gjeni duke klikuar këtu. / k.j
- Leja e Ndërtimit për Hidrocentralin
- Bukuritë natyrore të Kanionit