Vijon skandali i plagjaturave, mes tyre nuk ‘zhgënjen’ as Taulant Balla

Mesa duket skandali i plagjaturave në punët doktorale të akademikëve dhe politikanëve nuk ka mbarim. Denoncimet që po bëhen thuajse të përditshme, po tregojnë shumë qartë gjendjen problematike të titujve dhe mungesën e “meritokracisë” në arsim dhe politikë.
Para disa ditës u publikua plagjatura e Drejtoreshës së Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila njëkohësisht është lektore në Universitetin e Tiranës, e pas saj një tjetër punim i kopjuar nga rradhët e akademikëve.
Përvec doktoraturës së Mirlinda Karçanajt, Drejoreshë e AKSHI-së, u denoncua dhe rasti i akademikëve dhe drejtuesve të Universitetit të Durrësit, përkatësisht Kseanela Sotirofski (në kohën e publikimit Dekane e Fakultetit të Studimeve Profesionale, sot Rektoreshë e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”), Mit’hat Mema (në atë kohë Rektor i Universitetit të Durrësit) dhe Ulpian Hoti (në atë kohë Kancelar i Universitetit). Punët doktorale të personave të sipërpërmendur paraqiten të gjitha me probleme plagjature, por ky fakt s’i ka ndaluar ata të ngrihen në detyrë e të promovohen në detyrat përkatëse.
Nga politika, denoncimi i rradhës prek Taulant Ballën, kreun e grupit parlamentar të PS në parlament.
Në postimin e tij Taulant Muka shkruan: “Alfonc Rakaj, i diplomuar në King’s College Londër, zbulon Plagjaturën e Taulant Balla! Alfonci është nxitur nga dëshira për të parë meritokraci në këtë vend. Z. Balla si figurë publike me pushtet politik tregon që është diplomuar me Summa Cum Laude (titull ekselence), gjë që menjëherë ngre dyshime. Rezultati i kërkimit, sic shihet, është zhgënjyes. Kjo jo për faktin se është z. Balla, por për pozitën e tij, që mes të tjerash është edhe Kryetar i Grupit Negociator të Kuvendit në Parlamentin Europian.”.
Skandalet e plagjaturave tashmë kanë prekur një sërë figurash publike, politikanë dhe akademikë, por ende s’ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse. / k.j