Vazhdon bojkoti i universiteteve, studentët përgënjeshtrojnë takimet me Kryeministrin

Gjatë ditës së sotme do të vazhdoj bojkoti i Universiteteve nga studentët, ndërsa një pjesë e tyre kanë njoftuar se do të mblidhen në tryeza studentore nëpër fakultetet përkatëse dhe në godinën e korpusit qendror.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Rama ka zhvilluar disa takime me studentë, të cilat studentët i kanë përgënjeshtruar duke akuzuar në disa raste Kryeministrin për manipulim të protestës përmes takimeve të stisura, ndërsa të tjerë kanë akuzuar se u mbajtën me detyrim në këto takime dhe s’u lejuan të largohen.
Studentët e universiteteve publike prej më shumë se dy javësh vazhdojnë protestat dhe bojkotimin e mësimit, ndërsa kanë qenë të shumtë dhe profesorët që kanë përkrahur revoltën e studentëve. Senati i Universitetit të Tiranës para disa ditësh deklaroi mbështetjen e kauzës së studentëve, duke deklaruar se do të miratonte uljen e tarifave dhe do të përkrahte 8 kërkesat e studentëve deri në pranimin e plotë të tyre.