Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu akuzohet për plagjaturë

Vazhdojnë skandalet e plagjaturës nga funksionarë të lartë të shtetit. Pas ish zëvëndës Ministrit të Arsimit Ervin Demo dhe deputetes Blerina Gjylameti, duket se dhe Ministrja e Shëndetësisë ka kryer plagjaturë në punimin e saj të doktoraturës.
Lëvizja Për Universitetin ka denoncuar rastin në fjalë.
”Para pak kohësh Taulant Muka denoncoi plagjiaturën e ish-zv/Rektorit të Universitetit të Tiranës, ish-anëtarit të Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkim Shkencor, e tanimë edhe ish-zv/Ministrit të Arsimit në vend, Ervin Demos.
Lëvizja Për Universitetin po i kthen sytë nga doktoratura e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut. Pas shakasë së hidhur që ishte premtimi “shëndetësi falas”, ndërkohë që çdo vit dhjetëra të sapodiplomuar në mjekësi marrin valixhet për jashtë shtetit, drejtimi i një ndër ministrive më jetësore në vend i lihet dikujt që ka gënjyer për punën e vet shkencore.” – shkruhet në njoftimin e Lëvizjes në Facebook.
”Në kapitujt hyrës ka kopjuar thuajse në çdo gërmë nga puna shkencore e diplomantit për master shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut, Fannie Mnisi. Herë pas here në tekst duket se është zëvendësuar emri i lokalitetit Albert Luthuli me emrin e Tiranës, për të dalë në konkluzionet “shkencore” për famëkeqin landfill të Sharrës që i mori jetën minorenit Ardit Gjoklaj – atij që punonte natën për të blerë libra – për përfitimet e miqve të kryebashkiakut të Tiranës… Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Ogerta Manastirliut nga posti i Ministres së Shëndetësisë.”
Në postimin e Lëvizjes për Universitetin janë publikuar dhe punimet doktorale të ministres dhe akademikut afrikano-jugor për të bërë më të thjeshtë krahasimin. /k.j