Nga: Kevin Jasini/ Situata parazgjedhore në SHBA duket mjaft e tensionuar dhe e paqartë përsa i përket fituesve të mundshëm. Të dy kampet kundërshtare duket se kanë tashmë qëllime të qarta: Republikanët po përpiqen të mbajnë në kontroll Senatin ndërsa Demokratët po luftojnë për fitoren e Dhomës së Përfaqësuesve.
Në këto zgjedhje afatmesme votohet për të rizgjedhur 435 përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 përfaqësues së Senatit. Në 36 nga 50 shtete zgjidhen gjithashtu guvernatorët e rinj së bashku me përfaqësues së qeverive federale.
Akuzat gjatë fushatës kanë qenë të shumta për të dy palët, Presidenti Trump vazhdon me përpjekjet për ashpërsimin e mëtejshëm të politikave anti-emigracion, ndërsa në kampin e demokratëve po zhvillohet njëkohësisht me fushatën elektorale dhe një luftë e brendshme për lidershipin e partisë.
Zgjedhje Historike
Mjaft gara po kthehen në historike për shkak të kandidatëve që po synojnë të fitojnë zgjedhjet. Në këto zgjedhje kandidojnë një numër më i madh grash politikane, të cilat synojnë të rrisin përfaqësinë e tyre në Kongres duke vendosur një rekord historik. Në shtetin e Georgias, kandidatja demokrate Stacey Abrams synon të kthehet në guvernatoren e parë grua me prejardhje afro-amerikane. Në shtetin e New Mexico po kandidon gruaja e parë me origjinë nga komuniteti vendas indian ndërsa shteti i Michigan mund të ketë përfaqësuesen e parë në Kongres të besimit islam. Historike paraqitet situata dhe për komunitetin LGBT, ku janë 9 kandidatë të këtij komuniteti që po garojnë për një vend në Kongres. Njëra prej tyre përfaqëson jo vetëm komunitetin LGBT, por dhe atë të amerindianëve.
Statistikat flasin për një regjistrim më të madh të votuesve të rinj në moshë, të cilët po ndërgjegjësohen për rëndësinë e votës së tyre dhe po i bashkohen fushatave online për të sjellë ndryshim në aspekte të ndryshme të jetës: që nga reduktimi i armëve e deri te të drejtat e minoriteteve apo emigrantëve. Midis votuesve të rinj ka dhe shumë konservatorë, të cilët përkrahin republikanët në këto zgjedhje. Pjesa më e madhe e tyre janë votues për herë të parë, të rritur në atmosferën e recensionit ekonomik dhe të zhgënjyer nga politika tradicionale. BBC raporton se rreth 34 milion votues kanë votuar tashmë paraprakisht, rreth 7 milionë më shumë nga zgjedhjet e shkuara afatmesme dhe se të dy kampet politike po përpiqen të zgjerojnë elektoratin me votuesit e rinj.
Ndërkohë që në deklaratat e tij, Presidenti Trump është treguar i rezervuar për mbajtjen në kontroll nga ana e Republikanëve e të dy dhomave të Kongresit, duket se sondazhet janë në favor të partisë së tij për Senatin. Në shumicën e shteteve që po shkojnë në zgjedhje, rezultatet historike të senatorëve republikanë duken të vështira për tu përmbysur, ndërsa në zgjedhjet për guvernator, duket se pozitat e Republikanëve po dobësohen, njëjtë si në garën për Dhomën e Përfaqësuesve.
Një tjetër faktor ndikues duket të jetë numri i madh i parregullsive që po raportohen gjatë fushatës, ku më së fundmi në shtetin e Dakotës Veriore, një numri të konsiderueshëm votuesish amerindianë (indianë vendas) po u mohohet e drejta e votës, për shkak të disa problemeve proceduriale të rregjistrimit të adresave të tyre. Ditën e djeshme një gjykatës i këtij shteti pranoi ligjin e debatuar elektoral, i cili kërkon për indianët vendas, të cilët jetojnë në komunitete të rezervuara e të mbrojtura nga shteti, të rregjistrojnë adresa të sakta, ndërkohë që brenda këtyre komuniteteve të rezervuara nuk ka një sistem të qartë adresash.
Incidente u shënuan dhe në shtetin e Georgias, ku kandidati republikan për guvernator, njëkohësisht sekretari i shtetit federal, ka nxitur nisjen e hetimeve për fushatën e kundërshtares Abrams, me akuzën e pabazuar në dëshmi se demokratët janë përpjekur për të vjedhur të dhëna nga sistemi elektronik i votuesve.
Ndërkohë në Washington, hetimet federale vazhdojnë ende për ish-këshilltarët dhe personat përgjegjës së fushatës së shkuar të Presidentit Trump, por për rezultatet e këtyre hetimeve duhet pritur pas zgjedhjeve.
Sipas sondazheve, kampi demokrat duhet të ishte duke festuar momentalisht, por zgjedhjet e fundit presidenciale treguan një realitet komplet të kundërt në sondazhe nga ajo që ndodhi realisht, prandaj të gjithë presin të ndjekin zhvillimet e ditës së sotme të votimit dhe rezultatet paraprake, të cilat mund të kufizojnë vazhdimin e politikave të presidentit Trump gjatë pjesës së mbetur të mandatit, ose mund të kthehen në disfatë historike për demokratët.