Shpërthimet për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë dëmtojnë rrjetin elektrik dhe shtëpitë e banorëve
Banorët e Valbonës në Tropojë bllokuan sot rrugët në shenjë proteste ndaj shpërthimet të minave për ndërtimin e HEC-eve.
Shpërthimet kanë tronditur zonën duke shkaktuar dëme në shtëpitë e fshatit dhe rrjetin elektrik. “Ishte një shpërthim i fuqishëm, isha në shtëpi në katin e parë dhe mu duk sikur shtëpia u shemb”, tha aktivisti Dardan Metaliaj për Faxweb. “Nuk ka pasur asnjë njoftim nga firma, fatmirësisht nuk kishte turistë sepse do të ishte shumë e rrezikshme”.
Fotografitë e shkrepura nga banorët tregojnë krisje të mureve të shtëpive dhe rrëshqitje të gurëve në zonën e Dragobisë. Ata tregojnë se shpërthimet kanë dëmtuar 13 banesa, disa prej tyre rreth 100 vjeçare.
Foto: Muret e krisura të një shëpie dhe gurët e rënë si pasojë e shpërthimeve
Ndërkohë burime zyrtare të Kompanisë Gener 2, e cila po ndërton HEC-et raportuan se shpërthimet me mina janë pjesë e procesit të punimeve. “Nëse shtëpitë janë dëmtuar ne do t’i rehabilitojmë ato në kuadër të planit të rehabilitimit të të gjithë zonës”, – pohuan burime nga Gener 2 për “Monitor”.
Megjithatë banorët shprehen se janë te vendosur të ndalojnë ndërtimin e HEC-eve. Banorët u shprehën për mediat se ndihen të rrezikuar për jetën pasi gurët e rëndë kanë pushtuar oborret e shtëpive të tyre.
Ndërtimi i hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, një ndër zonat me potencialin më të lartë të turizmit malor është shoqëruar prej kohësh me një betejë civile dhe ligjore. Aktivistë të shoqërisë civile, banorët e zonës dhe specialistë argumentojnë se dëmi që HEC-et shkaktojnë në mjedis është shumë i madh krahasuar me sasinë e energjisë që ato do të prodhojnë.
/l.k./