Historia Ime “skanon” debatin për takimet ndërgjegjësuese të LGBT në shkolla
Gjatë muajve Tetor 2017 – Shkurt 2018 Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT zhvilloi disa takime ndërgjegjësuese me nxënësit e klasave të XI dhe XII në disa gjimnaze të Tiranës. Rreth një muaj më vonë në media u shpërndanë fotografitë e takimeve të publikuara në “Facebook” nga aktivistja Xheni Karaj. Kjo solli një vërshim të reagimeve në rrjetet sociale nga deputetë të parlamentit Shqiptar, ish ministra, personazhe të medias, aktivistë etj, që u shpërndanë në mënyrë të menjëhershme në mediat online.
“Është një nismë që kemi ndërmarrë se bashku me Bashkinë dhe Ministrinë e Arsimit. Janë takime informuese ku ne flasim me të rinjtë rreth bullizmit, i cili është një problem i madh për këdo jo vetëm për personat e komunitetit. Ka fëmijë që mund të jenë pak më të shëndoshë, fëmijë me syze, fëmijë rom që janë çdo ditë viktima të bullizmit. Ndërkohë ka edhe persona të komunitetit LGBT që po braktisin shkollat për shkak të bullizmit ”, tha për Historia Ime Xheni Karaj.
Ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte ndër të parët që reagoi përmes këtij postimi në Facebook, ku akuzonte Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe Fondacionin Soros se u mësonte të rinjve “martesat gay, eutanazinë, legalizimin e drogave dhe pisëlliqe të tjera si këto”.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=419634081814371&id=100013033472627
Këtij postimi ju përgjigj aktivisti për të drejtat LGBT Kristi Pinderi:
A është në dijeni Ministria e Arsimit për këto takime? Reagimi i organizatave dhe sqarimi i Ministrisë:
Pas vërshimit të parë të reagimeve në media u publikua një tjetër artikull ku citohej se një zëdhënës i Ministrisë së Arsimit ishte shprehur se “nuk ka asnjë projekt të përbashkët me këtë komunitet dhe nuk është në dijeni për këto takime që po zhvillohen”.
Pas këtij publikimi vjen reagimi i përbashkët i organizatave Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT ku sqarohet se këto takime zhvillohen në Kuadër të Planit Kombëtar të Masave për luftën ndaj diskriminimit të LGBT, sanksionuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.390, datë 25.5.2016. Në këtë deklaratë u publikuan edhe aktivitetet e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020, ku janë parashikuar aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla.
Po atë ditë, Ministria e Arsimit e konfirmoi këtë përmes një njoftimi për shtyp ku sqarohej se këto aktivitete bazohen në strategjitë dhe rezolutat e përmendura në reagimin e organizatave.
“Këto trajnime synojnë mënjanimin e stereotipave gjinorë dhe të diskriminimit, si pasojë e orientimit seksual. Aktivitetet ndërgjegjësuese synojnë reduktimin e praktikave diskriminuese, praktika këto që janë zhvilluar me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e përfaqësuesve të pushtetit vendorë dhe drejtuesve të shkollave dhe mësuesve të lëndëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Flasin mësuesit dhe gjimnazistët që kanë qenë pjesë e takimeve:
Në dy kronika të publikuara nga televizionet Ora News dhe Top Channel, janë intervistuar disa nxënës dhe një mësuese që kanë marrë pjesë në takimet ndërgjegjësuese me aktivistë të komunitetit LGBT. Ora News intervistoi, tre nxënës të shkollës “Petro Nini Luarasi”, që kanë qenë pjesë e diskutimi në këtë gjimnaz të zhvilluar në datën 5 dhjetor 2017. Ata thanë se nuk ka asnjë arsye të ketë një debat të tillë për shkollat, por diskutimi publik duhet të jetë tek pranimi i këtij komuniteti tek familjet ose shoqëria.
Ideja është për t’i informuar nxënësit, se çfarë janë çfarë përfaqësojnë dhe me se merren. Te ne vijnë organizata të ndryshme për çështje ku ka bullizëm brenda dhe kjo është pjesë përbërëse, është pjesë e edukimit”, tha për Top Channel Mirela Katundi, mësuese në shkollën “Petro Nini Luarasi”.
Disa politikanë, deputetë e ish-ministra shpërndanë reagimet e tyre shpesh duke përdorur tone të forta të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës diskriminuese:
Kryetari i partisë Demokristiane Nard Ndoka në 22 mars 2018:
“Këto takime janë skandaloze, pikërisht për faktin se bëhen në ambientet e shkollave publike, ku u mësohen të rinjve ‘fenomene edukative’ të eksperiencave të komunitetit LGBT, që nuk janë të miratuara nga MSH-ës dhe nuk përfshihen as në tekstet shkollore”.
Më 23 mars ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka shpërndarë një reagim në profilin e tij në Facebook ku thuhet se këto janë takime promovuese të komunitetit LGBT dhe Ministria e Arsimit duhet të marrë masa bllokuese dhe ndëshkuese.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=2099076963662624&set=a.1427952230775104.1073741830.100006810219239&type=3
Më 24 Mars ka reaguar edhe Dritan Shano një prej Koordinatorëve Kombëtarë të Partisë Demokratike:
“Lënda e re mësimore “Dituri Dylberi” e cila po futet me përdhunë në shkollat shqiptare nga LGBT, të sponsorizuar fuqishëm nga Qeveria e Edi Ramës, është një sulm i paprecedent dhe akt shkatërrues i familjes, sistemit të vlerave kombëtare dhe i manipulimit dhe përdhunimit të drejtpërdrejtë sipas metodave LGBT të mendjes dhe shpirtit të fëmijëve në shkollat e Republikës së Shqipërisë”.
https://www.facebook.com/dritan.shano/posts/10216269543549862?pnref=story
Edhe deputeti Ervin Salianji reagoi në një intervistë për “Syri.net” duke i quajtur këto takime si ngjarje ku promovohen antivlerat.
“Kjo është një ngjarje skandaloze, pasi vlerat që duhet të demotivohen në shoqëri. Pra e gjithë shoqëria shqiptare nuk duhet të lejon për vlera antivlerat. Secili mund të bëjë çfarë të dojë në jetën e tij, por nuk mund të lejohen për vlera, për më tepër që këto promovohen nga Ministria e Arsimit”, deklaroi Salianji.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT letër të hapur Partisë Demokratike:
Dy organizatat Pro LGBT dhe Aleanca LGBT kanë nisur një letër të hapur Partisë Demokratike, pas deklaratave të shpeshta të përfaqësuesve të saj që e konsiderojnë homoseksualizmin si sëmundje. Në këtë letër kërkohet një qëndrim zyrtar mbi pyetjen: “A mendon zyrtarisht PD se homoseksualizmi është sëmundje?”
Deri në këtë moment nuk ka ende një përgjigje zyrtare për këtë çështje nga ana e Partisë Demokratike.
Pas këtij debati kanë reaguar edhe figura të njohura të medias në Shqipëri:
Delina Fico publikoi në “Tirana Post” një shkrim me titull “Pse shoqëria duhet ta rregullojë dashurinë?!”.
Fico paraqet katër fakte në shkrimin e saj ku shpjegon se përfaqësuesit e organizatave LGBTI kanë bërë të njëjtën gjë që bëjnë shumë organizata që punojnë për përparimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
“Dija nuk është kurrë rrezik për askënd. Padija është. Padija ushqen frikën dhe përbuzjen për atë që se njeh, për tjetrin, për një mënyrë mendimi apo jetese të ndryshme nga e jotja. Padija e përçan një komunitet, ushqen dhunë në marrëdhëniet mes njerëzve….S’ka asnjë arsye për t’u frikësuar apo shqetësuar pse të rinjtë po marrin informacion lidhur me diskriminimin e personave LGBTI dhe të drejtat e tyre. E gjitha kjo është shumë zhurmë për asgjë”.
Dalina Buzi ka publikuar në faqen Anabel.al një shkrim me titull: “Debati për LGBT në gjimnaze është debati më idiot në 2018”.
“Në rastin aktual, unë mendoj se është shumë mirë që njerëz të një kategorie, në këtë rast homoseksualët, shkonë në shkolla dhe gjimnazistët dëgjojnë nga afër ‘me zë dhe figurë’ histori të vërteta, të cilat nuk i ndihmojnë të ‘devijojnë’, por i ndihmojnë të kuptojnë që në vuajtjet e tyre nga bulizmi, nuk janë vetëm dhe mund të gjejnë një dritë jeshile”, ka thënë Buzi në shkrimin e saj.
Edhe gazetarja Suela Demiri ka publikuar një reagim në rrjetet sociale ku thotë se është më mirë të flasim se të paragjykojmë apo urrehemi.
https://www.facebook.com/suela.demiri1/posts/1635497569875809
Takmimet e mbajtura nga përfaqësues të komunitetit LGBT në shkolla ishin tema e diskutimit në studion “Tonight me Ilva Tare” dy ditë më parë:
Ministrja e Arsimit Besa Shahini sqaroi edhe njëherë se këto janë masa konkrete që po ndërmerren si pjesë e Planit të Veprimit me qëllim që shkolla të shndërrohet në një vend gjithëpërfshirës dhe emancipues ku ndërtohen qytetarë të mirë të vendit ku nuk diskriminohet tjetri nëse është ndryshe.
Diskutimi në studio kaloi në debate midis pedagoges Jonila Godole, Sociologut Ergys Mërtiri dhe aktivistes për të drejtat LGBT Xheni Karaj.
Ergys Mërtiri citoi një studiues që e përkufizon homoseksualitetin si sëmundje dhe foli për një klinikë në Britani ku personat gej shëroheshin përmes terapisë.
Xheni Karaj u përgjigj duke thënë: “Këto deklarata na kthejnë qindra vite pas dhe i jep familjarëve një mesazh shumë të gabuar se fëmijët e tyre janë të sëmurë e duhet të kurohen. Ndërkohë që në vende të shumta të botës mjekët që ushtrojnë këto lloj praktikash dënohen me gjobë”.
Një ditë pas këtij debate ka ardhur reagimi i gazetares Alba Malltezi. Në një shkrim të titulluar “Mos u ndal Xheni Karaj”.
“Shpërtheu përsëri. Sapo komuniteti LGBT bën një hap: flet, tregon, dëshmon, sqaron, lufton, një koshere e madhe me grenxa çlirohet në vend e nisin të pickojnë me ritëm. Pandërprerë. Pavarësisht dhimbjeve, më duket një gjë e mirë. Në debate, në ngritje zëri, në përplasje duarsh në tavolinë, mund të shohim natyrën e vërtetë të njerëzve që na rrethojnë”, ka shkruar Malltezi.
“Xheni, në vërtetësinë e guximin natyror të saj, në këtë mjedis me maska të konsoliduara, është e vetme, por e vërtetë”, vazhdon më tej shkrimi.
Ende asnjë reagim nga Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Edhe pse ky debat vazhdon prej rreth një jave, nuk ka asnjë prononcim të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dy institucioneve më të rëndësishme në luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut që gjatë këtyre viteve kanë rekomanduar vazhdimisht përmirësimin e kurrikulave mësimorë, trajnimin e mësuesve me qëllim arsimimin e fëmijëve në një mjedis të sigurt.