Gazetari Turk Murat Çelikkan – Shpallet “Mbrojtësi i të Drejtave Civile” për vitin 2018

Foto: Hafıza Merkezi
Gazetari dhe aktivisti turk, Murat Çelikkan ka marrë çmimin “Mbrojtësi i të Drejtave Civile” për vitin 2018 nga “Civil Rights Defenders”.
“Murat Çelikkan është një gazetar nga profesioni, por edhe një nga zërat më të fortë në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Turqi. Pavarësisht situatës gjithnjë e më të vështirë për shoqërinë civile të vendit, ai vazhdon të luftojë për një Turqi më të hapur”, thuhet në njoftimin e publikuar nga CRD.
Çelikkan është bashkë drejtues i një organizate të pavarur për të drejtat e njeriut të quajtur Hafiza Merkezi (Qendra e Kujtesës Drejtësisë dhe së Vërtetës). E themeluar nga një grup avokatësh, gazetarësh dhe aktivistësh në vitin 2011, organizata synon të zbulojë të vërtetat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në të shkuarën, të forcojë kujtesën kolektive për këto shkelje dhe të mbështesë të mbijetuarit në rrugën drejt drejtësisë.
“Ky çmim është nderim për punën që ne bëjmë, dhe unë personalisht ndihem i privilegjuar që po e marr. Është e rëndësishme të vazhdojmë mbështetjen e shoqërisë civile në shtete ku të drejtat e njeriut sulmohen vazhdimisht. Nuk duhet të harrojmë se vlerësimi ka një efekt fuqizues të rëndësishëm në këto kohë të vështira”, ka thënë Murat Çelikkan pas marrjes së çmimit.
“Puna e Murat Çelikkan përfaqëson këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e lëvizjes për të drejtat e njeriut në Turqi, edhe në periudhat më shtypëse. Përkundër rrezikut të madh personal, ai vazhdon luftën e tij të palodhur për të drejtat dhe liritë themelore. Ai përdor metoda inovtative për të sfiduar represionin shtetëror duke kërkuar drejtësi për viktimat e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai ka hedhur themelet e shumë organizatave të shquara në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe sot vazhdon të jetë një shembull për aktivistët”, thuhet në motivacionin e Bordit të “Civil Rights Defenders” për këtë çmim.
Gjendja e të drejtave të njeriut në Turqi:
Situata e të drejtave të njeriut është përkeqësuar ndjeshëm në Turqi gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht që pas grushtit të shtetit të dështuar në korrik 2016. Murat Çelikkan ka qenë shënjestër në shumë raste. Së fundi ai u lirua nga burgu pasi kaloi 68 ditë i privuar nga liria. Ai u dënua fillimisht me 18 muaj burg sipas ligjit Anti-Terror, pasi kishte marrë pjesë në një fushatë mbi lirinë e shprehjes.
Gjendja e jashtëzakonshme në vend dhe goditjet e vazhdueshme ndaj shoqërisë civile, kanë çuar në mbylljen e mbi një mijë shoqatave dhe mbi njëqind fondacioneve në Turqi. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët që vazhdojnë punën e tyre pavarësisht nga situata gjithnjë e më shtypëse përballen çdo ditë me frikën e hakmarrjes.
“Për fat të mirë, sfida më e madhe në punën time është rreziku se do të burgosem përsëri. Them fatmirësisht sepse Turqia ka një histori të vrasjeve ndaj intelektualeve dhe mbrojtësve të të drejtave civile. Fatmirësisht, njohja ndërkombëtare e këtij çmimi sjell me vete një rritje të mbështetjes dhe sigurisë për shoqërinë civile në Turqi”, tha Murat Çelikan.
Mbi çmimin “Mbrojtësi i vitit i të Drejtave Civile”:
Që nga vitit 2013, Civil Rights Defenders nderojnë çdo vit një mbrojtës të shquar të të drejtave të njeriut, i cili pavarësisht nga rreziku për sigurinë e tij, përpiqet të sigurojë se të drejtat civile dhe politike të njerëzve njihen dhe mbrohen. Puna e tyre kryhet pa përdorimin e dhunës dhe brenda organizatave të pavarura për të drejtat e njeriut.
/l.k./
Artikulli i plotë: https://www.civilrightsdefenders.org/news/civil-rights-defender-of-the-year-2018-murat-celikkan/