Lëvizja “Për Universitetin” i rikthehet protestave, 4 kërkesa konkrete për qeverinë
Lëvizja studentore “Për Universitetin” do t’i rikthehet protestave. Në orën 11 të datës 24 janar, aktivistët bëjnë thirrje për protestën e cila do të nisë nga Korpusi duke marshuar drejt Kryeministrisë.
Nëpërmjet kësaj proteste, Lëvizja “Për Universitetin”, do t’i paraqesë qeverisë këto katër kërkesa:
- Të përgjysmohen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve
Aktivistët i cilësojnë tarifat universitare si diskriminim ekonomik që privon një pjesë të studentëve nga e drejta e studimit edhe pse ata mund t’i plotësojnë kriteret e meritës.
- Të hiqet barra financiare për certifikimin e gjuhës së huaj
Çdo vit, rreth 140 000 studentë kanë detyrimin që të mbrojnë një gjuhë të huaj në institucionet private të certifikimit.
“Nëse e marrim të mirëqenë që të gjithë do e kalojnë me sukses testimin që herën e parë (por në të vërtetë nuk rezulton kështu!) i thonë 11,200,000 euro (140,000 *80 EUR). Ose ndryshe 15 miliardë lekë të vjetra”- thuhet në një njoftim të shpërndarë nga Për Universitetin që vazhdon me pyetjen – “E përse duhen harxhuar kaq shumë para, nëse certifikimi duhet për të ndjekur veç masterin në Shqipëri?”
- Të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura
Në shumë fakultete studentët duhet të paguajnë dyfish kreditet për provimet e mbartura, madje në disa duhet paguar përsëri tarifa vjetore. Lëvizja Për Universitetin e ka ilustruar këtë problematikë nëpërmjet këtij shembulli:
“Alba ndjek studimet master. Në shtatorin e vitit të dytë Alba, kryesisht për shkak se punon në call center, ka mbetur mbrapa me leximet, provimet e punën e diplomës, e kështu nuk arrin ta mbyllë me sukses e përfundimisht masterin. Por gjithsesi Alba është e gëzuar se i ka shlyer të gjitha detyrimet, seminaret, detyrat e kursit dhe projektet në vitin paraardhës. E megjithatë, ka rregulla. Kështu, Alba në vitin e ri akademik konsiderohet përsëritëse, ajo ka gjithsej dy provime, njëra 7 dhe tjetra 8 kredite, si dhe temën e diplomës me 15 kredite, dhe megjithëse nuk ka për të konsumuar thuajse asgjë në mjediset e fakultetit, qysh se detyrimet lëndore i ka shlyer në vitin paraardhës, Albës i duhet të paguajë sërish tarifën e studimit. E sa do thoni ju? Për këtë ka menduar qeveria, me VKM-në e vitit 2014. E thjeshtë fare, Alba duhet të paguajë dyfishin e tarifës për çdo kredit. Alba ka 30 kredite të mbartura, por ajo duhet të paguajë vlerën e 60 krediteve. Po, mëse e vërtetë, paguan tarifën sikur të ishte frekuentuese e rregullt, tarifën e plotë. Thoni tani, a ka qeveri më të mençur se kjo?!”
- Të rikthehet për studentët godina historike e Fakultetit Gjeologji Miniera
Studentët e këtij universiteti kanë organizuar një sërë protestash që prej kohës kur u bë publik plani për ta tjetërsuar godinën e Fakultetit Gjeologji Miniera në një hapësirë në shërbim të Gjykatës së Lartë. Në protestën e datës 24 janar do të kërkohet që godina me një historik mbi 60-vjeçar t’i rikthehet fakultetit.
Në përfundim të kësaj proteste aktivistët do të dorëzojnë një peticion të firmosur nga studentët , ku kërkohet plotësimi i kërkesave të përmendura më lart.
/l.k./