Ekspozita “LGBTI Pride Photo Award” sjell në Tiranë histori të diversitetit gjinor dhe seksual
“LGBTI Pride Photo Award” quhet ekspozita e çelur dje në ambientet e galerisë Zeta në Tiranë. Kjo ekspozitë është pjesë e një konkursi ndërkombëtar të përvitshëm për fotografi mbi diversitetin gjinor dhe seksual me më shumë se 3.600 fotografi nga 70 vende të ndryshme të botës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Ambasada e Vendeve të Ulëta në Tiranë mirëpritën çeljen e ekspozitës e cila do të qëndrojë e hapur deri më 17 nëntor për të mirëpritur publikun shqiptar.
“Njerëzit që do të vijnë këtu do të mësojnë e do të reflektojnë. Ajo që do të shohin në këtë ekspozitë janë njerëz të vërtetë me histori të vërteta dhe do të kuptojnë se nuk ka asgjë për tu trembur apo shmangur”, tha për Historia Ime Erik de Kruijf menaxher i projektit “Pride Photo Award”.
Fotogaleri: Disa nga punimet e paraqitura në ekspozitë “Pride Photo Award”
- Shtëpia e Homoseksualëve të Artë – Manila, Filipine
- Njerëzit androgjenë – Ukraine
- Marrëdhëniet midis grave në institucionet e mbyllura – Rusi
- Aktivistë LGBT – Uganda
“Shtëpia e Homoseksualëve të Artë” – një qendër për të moshuarit LGBT në Filipine, njerëzit androgjenë në Ukraine që nuk përkojnë me stereotipin mashkullor apo femëror, aktivistët gej në Uganda apo marrëdhëniet midis grave në institucionet e mbyllura në Rusi, janë disa nga historitë që ekspozita “Pride Photo Award” sjell përmes fotografive.
![Boris Dittrich - “Human Rights Watch”.](http://historiaime.al/wp-content/uploads/2017/11/IMG_0291-e1509633640147-300x279.jpg)
Boris Dittrich – “Human Rights Watch”.
“Në disa vende të botës ne mund të arrestoheshim, thjesht sepse jemi këtu. Në një vend si Rusia kjo do të shihej si promovim i sjelljes homoseksuale. Ndaj është e mrekullueshme që jemi këtu në Tiranë dhe mund të shohim lirisht këto foto të bukura” tha gjatë fjalës së hapjes Boris Dittrich, drejtues i advokimit për të drejtat LGBT pranë “Human Rights Watch”.
Dittrich shtoi se në një kohë kur sjella homoseksuale është ende e kriminalizuar në 76 vende të botës, ekspozita si këto ku komuniteti LGBT bëhet i dukshëm, janë një hap i rëndësishëm, sepse vizibiliteti çon drejt të qënurit prezent në shoqëri, sjell diskutim dhe zakonisht sjell gjëra pozitive.
E themeluar në vitin 2010, fondacioni “Pride Photo Award” me bazë në Amsterdam, kontribuon për një botë më të drejtë e më gjithëpërfshirëse, duke sjellë në vëmendje diversitetin gjinor dhe seksual për të nxitur ndërgjegjësimin ndaj të qënurit ndryshe. Erik de Kruijf tha se kjo ekspozitë nuk ka për qëllim të kënaqë e as të ofendojë, por është këtu për të treguar një realitet që shpesh nuk është i dukshëm, realitetin e minoriteteve gjinore dhe seksuale që shpesh është i margjinalizuar dhe i diskriminuar.
“Komuniteti LGBT është një nga komunitetet më mbresëlënës dhe aktive në Shqipëri, dhe e respektoj vërtetë shumë për këtë. Doja thjesht të thoja se do të jemi këtu për ju, për pjesën tjetër të këtij udhëtimi”, tha Ambasadorja e Holandës në Shqipëri Dewi Van de Weerd, gjatë fjalës së saj.
Ekspozita është shfaqur më parë në San Francisko (SHBA), Xhakarta (Indonezi), Hanoi (Vietnam), Itali dhe Amsterdam. Erik de Kruijf tha se falë bashkëpunimit me ambasadat, ekspozita “Pride Photo Award” pas Tiranës do të shkojë në Prishtinë dhe Shkup.
“Shpresojmë që në të ardhmen ta shfaqim këtë ekspozitë në akoma më shumë vende përreth botës”, tha Erik de Kruijf për Historia Ime.
/l.k./