Si u bëra aktivist LGBT në një nga vendet më homofobe në Europë – dhe pse u largova prej tij
Aktivistët LGBT Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj gjatë një interviste për pedalimin kundër homofobisë 2015. Foto/Eriona Cami
Aktivisti Kristi Pinderi ka ndarë historinë e tij për median kanadeze “Dailyxtra”, një portal me më shumë se 225.000 lexues mujorë, i njohur për mbulimin e thellë të çështjeve me rëndësi për komunitetin LGBT në zonën e Vankuverit dhe Torontos.
Shkrimi i plotë:
*Nga Kristi Pinderi
“Në rast ulje të papritur të presionit të ajrit në kabinë, maskat e oksigjenit do të ulet automatikisht përballë jush. Tërhiqeni maskën për tu pajisur me oksigjen…’’ dëgjohet zëri i stjuardesës teksa avioni ynë bëhet gati të niset për në Frankfurt, Gjermani, në 30 Maj, 2017.
Unë dhe partneri im, Erjoni po nisemi në një fluturim matanë oqeanit bashkë me Velon, qenin tonë 3-vjeçar. Kam parandjenjën se Velo po ndihet i pashpresë brenda këtij Boeing-u gjigand. Kafazi i tij, në një zonë të izoluar të departamentin e ngarkesave, ka mjaftueshëm hapësirë sa ai të rrotullohet dhe të shtrihet, por gjithsesi ndihem i shqetësuar për të.
Erjoni buzëqesh teksa përpiqet të ndihmojë pasagjerët e tjerë të gjejnë vendet e tyre. Ai ndihmon një të moshuar të ngrejë çantën e tij të rëndë, dhe asiston gruan që e shoqëron atë me leximin e numrit të sedilies. Erjoni e ka marrë aq seriozisht saqë mendoj se çifti i të moshuarve tani po e konsideron si asistentin e tyre të fluturimit.
Kjo është ajo na bën Erjonin, Velon dhe mua një familje: ne jemi tre qenie të ndryshme, që po fluturojmë drejt një të ardhmeje të përbashkët duke lënë pas Shqipërinë, një prej vendeve më homofobike në Europë, ku unë dhe Erjoni kemi luftuar për të drejtat LGBT në tetë vitet e fundit.
Të qenurit publikisht aktivistë gej dhe çift në të njëjtën kohë, i vendoste jetët tona në rrezik. Në kohën kur ne u larguam po merrnim përditë me dhjetëra kërcënime për jetën në rrjetet sociale – kërcënime që nuk mund t’i injoronim. Ndjesia false e sigurisë që kishim ndërtuar rreth vetes sonë nisi të shembej.
Pas vitesh të tëra si aktivist i LGBT në Shqipëri, arrita të kuptoj se kisha bërë gjithçka që mund të bëja për të ndryshuar veten dhe vendin tim, dhe nuk mbetej gjë tjetër për të bërë pa e implikuar veten dhe familjen time në rrezik serioz. Ishte koha për ndryshim.
Pasi morëm vizën kanadeze dhe u konsultuam me një shok të afërt në Vankuvër, ne vendosëm të nisnim një kapitull të ri jete larg prej vendit tonë. Ndiheshim sikur po shkonim shumë larg; na dukej se po shkonim drejt fundit të botës.
Është viti 1998 dhe unë jam në vitin e dytë të gjimnazit. Si adoleshent i ri, supozohet të jem i rrethuar nga bashkëmoshatar, duke luajtur futboll dhe duke bërë thashetheme për vajza. Në vend të kësaj unë e gjej veten duke u fshehur brenda një bunkeri të Luftës së Parë botërore afër liqenit të Ohrit në Pogradec. Ky qytet i vogël është vendlindja ime në jugun e Shqipërisë.
Fatkeqësisht, faktin se unë isha ndryshe nuk e dalloja vetëm unë, por edhe nga një grup adoleshentësh më të mëdhenj, një prej të cilëve gjente kënaqësi teksa ushtronte bullizëm ndaj meje për vite të tëra. Unë fshihesha në bunker për të qenë i sigurt.
Brenda bunkerit rrija edhe për arsye të tjera, pasi më duhej të pretendoja se isha duke shpenzuar kohë me shokët. Më kujtohet kur mamaja dhe gjyshja më pyesnin të shqetësuara “Pse nuk del jashtë? Pse nuk ke shokë? Ti nuk je vajzë që të rrish brenda në shtëpi gjithë paraditen’’.
Por të qëndruarit vetëm kishte dhe anën e saj pozitive: më shtyu drejt librave. Më bëri të dashuroja leximin dhe të aspiroja të bëhesha shkrimtar(më vonë u bëra gazetar).
Në mënyrë që koha të kalonte, ecja ngadalë drejt bunkerit të izoluar. Ecja për gjysmë orë për të shkuar drejt destinacionit dhe e bëja rrugën e kthimit edhe më ngadalë. Shihja liqenin, zogjtë, hijen e diellit që fshihej pas kodrave ndërkohë që qaja. A do të jem në gjendje të shpëtoj veten prej gjithë kësaj? Pyesja shpesh veten.
Vendlindja ime është e mrekullueshme. Liqeni i qetë i Ohrit, më i vjetri e më i thelli në Europë, shtëpi e një numri të madh speciesh endemike, më bënte të ndihesha si një zog i vogël brenda një kafazi të artë.
****
Kur mbusha 27 vjeç në 2009, rreth një dekadë pas periudhës kur fshihesha në bunker, pranova papritur se jeta ime ishte e pakuptimtë dhe e pashpresë dhe pa asnjë qëllim.
Lufta e brendshme për të fshehur veten si dhe barra e pyetjeve që kërkonin përgjigje u bë shumë e madhe për tu përballuar, deri në atë moment isha përpjekur të isha ai që familja, miqtë dhe kolegët konsideronin si ‘’normal’’.
Gjatë verës së 2009 më në fund kuptova që nuk duhet të stërmundohesha për të vazhduar këtë lojë kukafshehti që isha duke luajtur me veten dhe të tjerët përreth meje. Ndihesha i pafuqishëm, qaja çdo natë deri sa më zinte gjumi, duke kërkuar guxim në një shishe alkooli dhe duke e ‘’zbrazur’’ ankthin tek letrat që shkruaja ditë pas ditë, faqe pas faqeje ku tregoja historinë time dhe e ndaja me njerëzit që kisha më shumë besim.
Këto pika u shndërruan në një rrjedhë, e kjo rrjedhë në një shi fjalësh që mbushte faqet e fletores çdo ditë: faqe që ende kaloheshin në fshehtësi, larg syve vigjilentë të familjes time, tek miqtë dhe të afërmit që i ndjeja më pranë vetes.
Ditën qaja deri sa më zinte gjumi, duke i luftuar lotët me alkool pasditeve, e duke shkruar një stuhi fjalësh netëve që më sillte një lehtësim të ëmbël.
Lehtësimi ngadalë u rrit dhe u shndërrua në një sens kuptimi për atë që isha, çdo ditë e më shumë, derisa më në fund erdhi ai moment i lumtur në jetën time kur e njoha veten, dhe u ndjeva mirë. Isha më në fund vetvetja.
Erdhi momenti kur unë dola hapur për orientimin seksual tek familja, duke u përballur me tronditjen dhe zhgjënjimin e tyre. Në të njëjtin muaj takova një shpirt të ngjashëm ballë për ballë, tani shoqja ime shumë e afërt Xheni Karaj, e vetmja lezbike që njihja.
I shkruajta në llogarinë e saj në Facebook pasi iu bashkova një grupi të mbyllur që Xheni kishte krijuar për komunitetin LGBT në rrjetin social “Facebook”. E pyeta nëse mund të takoheshim dhe ajo pranoi. Ditën tjetër u ulëm për kafe si dy të huaj që ishim për njëri-tjetrin.
Ishte vera e vitit 2009 kur Partia Demokratike e Shqipërisë, kishte fituar zgjedhjet për të dytin mandat por opozita politike akuzonte kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha për vjedhje të votave.
Si një taktikë për të larguar opinionin publik nga skandalet, Berisha papritur deklaroi se qeveria e tij mund të propozojë një ligj për legalizimin e martesave brenda së njëjtës gjini.
S’kishim as një orë që ishim njohur me njëri-tjetrin kur unë dhe Xheni pamë titujt e lajmeve: liderët fetar Mysliman, Ortodoks dhe Katolik kishin publikuar një deklaratë të përbashkët për shtyp në kundërshtim me martesat gej.
“Le të bëjmë një deklaratë për shtyp’’ i propozova Xhenit papritur. Kisha besuar për vite të tëra që të qënurit gej është diçka e gabuar. Por në atë moment e kuptova më në fund se nuk isha unë ai që isha gabim, as njerëzit si Xheni. Ai ishte momenti kur më në fund ndjeva dellin për të luftuar.
Ne shkruajtëm një deklaratë për shtyp, hapëm një adresë email-i, jo me emrat tanë të vërtetë, dhe ia dërguam të gjitha mediave.
Brenda disa minutash deklarata jonë ishte bërë pjesë e lajmeve. Media e publikoi reagimin tonë, duke theksuar: “Një shoqatë e gejve dhe lezbikeve ka shprehur optimizëm dhe kërkon nga qeveria të miratojë një legjislacion për anti-diskriminimin. Ne gjithashtu nënvizuam në deklaratën për shtyp se për aq informacion sa kishim, nuk kishte asnjë iniciativë për të prezantuar ndonjë draft ligjor në Parlament për martesat brenda së njëjtës gjini.
Fitorja jonë e parë na bëri të kuptojmë se kishim një gjë të përbashkët: unë dhe Xheni donim të bënim diçka me rëndësi për jetët tona. Ne u kthyem në aktivistë.
Në vitet në vazhdim unë dhe Xheni nisëm të njiheshim akoma më shumë dhe takuam persona me interesa të përbashkëta si ne. Takoheshim përditë dhe diskutonim, flisnim dhe e shijonim shoqërinë e njëri-tjetrit. Kishim themeluar një grup tonin pa e kuptuar as vetë.
Një mbrëmje vonë, pas njërit prej sesioneve tona pasionante të diskutimit, dolëm si grup dhe vizatuam disa grafiti në muret e rrugëve kryesore të Tiranës me parulla si: ‘’ Jam djalë, dua djalë dhe ‘’Jam vajzë, dua vajzë’.
Tirana u zgjua mëngjesin tjetër me shumë mure të mbuluara nga grafitet tona. Ne e dokumentuam përmes aparateve cfarë kishim bërë dhe e postuam filmimin në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Youtube”. Javën pasardhëse lyem stolat e parkut përballë presidencës me ngjyrat e ylberit.
Ne po ashtu organizonim mbledhje, aksione në rrugë dhe festa private “underground” për komunitetin LGBT. Në një prej këtyre festave në 2010 takova dhe Erjonin, i cili u bë dhe partneri im dhe vazhdon të jetë dhe i sot si i tillë.
Edhe ai kishte arritur ta kuptonte dhe ta donte veten për atë që ishte, Erjoni nisi të mbante një ditar online në të cilin shkruante për eksperiencat e tij jetësore dhe i postonte në një faqe në “Facebook” që tërhoqi me qindra gej dhe lezbike.
Teksa reflektoj dhe hedh një vështrim mbrapa kur e krahasoj realitetin e pesë viteve më përpara me realitetin e sotëm, nuk mund të mos vë re disa prej arritjeve që lëvizja LGBT ka arritur në Shqipëri.
Unë dhe Xheni dolëm hapur publikisht dhe drejtuam lëvizjen LGBT në Shqipëri. Unë drejtova një organizatë të quajtur Pro LGBT, dhe Xheni ende drejton grupin e saj me emrin Aleanca LGBT.
Përmes këtyre organizatave ne bashkë-organizuam Paradën e parë në Shqipëri. Ne po ashtu hapën strehën e parë sociale për të rinj nga LGBT, të pastrehë. Gjithashtu prezantuam çështjet e LGBT në diskursin politik dhe më e rëndësishmja, arritëm të inkurajonim me mijëra të rinj të komunitetit se jeta do të bëhej më e mirë.
Ditari i Erjonit u kthye në të parin dhe njëkohësisht të vetmin portal për të drejtat e njeriut në gjuhën shqipe, me mijëra vizitorë unik çdo ditë. Filmimet e aksioneve tona të grafitit u kthyen më vonë në një dokumentar mbi lëvizjen LGBT, i pari në llojin e tij në Shqipëri, i cili fitoi çmime të shumta dhe u njoh ndërkombëtarisht.
https://www.youtube.com/watch?v=WxJCHb1UPfE
Organizatat tona janë mirë integruar në të gjithë vendin duke na lejuar të kërkojmë llogaridhënie nga politikanët, si edhe të lobojmë për amendime në legjislacion.
Festat diskrete të dikurshme janë transformuar në shërbime aq të domosdoshëm për komunitetet tona. Në dhjetor të 2014 ne hapëm qendrën rezidenciale të parë për të rinj të pastrehë e në rrezik të komunitetit LGBT në Shqipëri ( për të cilën shumë personalitete të njohura në vend bëjnë donacione dhe e mbështesin) si edhe një shërbim këshillimi online për komunitetit LGBT, e lançuar nëpërmjet Kickstarter, e cila do të vihet në shërbim të komunitetit shumë shpejt.
Na u deshën 5 vite punë për gjithë atë që kemi arritur, ndërsa mua 20 vite për të kuptuar e pranuar veten për atë çfarë jam.
Besoj se arsyeja më e fortë pse qëndrova në vendin tim ishte mamaja. Doja ti tregoja asaj që unë isha i fortë, dhe se mund të përballoja çfarëdolloj situate që mund të lindte. Kur ajo nisi të vuante në mënyrë kronike nga veshkat dhe problemeve me zemrën e kuptova se kisha një arsye më të fortë për të qëndruar në Shqipëri.
Por kur vitin e kaluar mamja u largua nga kjo jetë, e kuptova se dashuria dhe mbrojtja e saj më kishte fuqizuar duke më dhënë një ndjesi false dhe jo realiste të sigurisë. Nisa të kuptoja se jeta ime ishte në rrezik.
Nuk mund të zgjidhja transportin publik dhe hezitoja të dilja për të bërë pazar ose të shkoja në restorante pasi njerëzit më identifikonin dhe konfrontoheshin me mua, duke më quajtur ‘’imoral’’ dhe duke më paralajmëruar ‘’Zoti do të të ndëshkojë’’.
Unë mora shumë mesazhe në llogarinë time personale në Facebook me kërcënime se do të të më varnin, ose duke më thënë ‘’Hitleri dueht të ringjallet dhe të kujdeset për njerëzit si puna jote”. Shumë të tjerë më kanë kërcënuar se do të më digjnin me acid.
Pesë herë janë thyer xhamat e makinës sime gjatë natës. Çdo herë e shihja që ishte vetëm makina ime ajo që dëmtohej nga vandalët në lagje.
Një herë isha me Xhenin në një pikë karburanti në Pogradec, vendlindjen time, kur një burrë erdhi dhe u konfrontua me mua. Më quajti pederast dhe më tha se duhet të ndaloja së thëni në televizion se jam rritur në Pogradec pasi kjo e turpëronte imazhin e qytetit. Më kapi prej fyti dhe pështyu mbi mua duke na thënë se duhet të largoheshim.
Disa javë më vonë mora vesh prej disa personave nga qyteti se personi që dikur më kërcënoi kishte vrarë veten aksidentalisht me një pushkë.
Një herë tjetër unë dhe Erjoni po ktheheshim nga Kosova për në veri të Shqipërisë kur makina jonë nuk po punonte më. Na u desh të ndalonim në Rrëshen, një qytet në pjesën veriore të Shqipërisë, porasnjë prej hoteleve nuk na ofronte akomodim. Më në fund një burrë që ishte pronar i një restoranti na lëshoi me qira një dhomë në shtëpinë e tij dhe na këshilloi të rrinim brenda deri në mëngjes.
Personat LGBT ende janë të ekspozuar ndaj rrezikut në vendin tim, sidomos personat gej dhe transgjinorët të cilët ndeshen dhe me dhunë fizike. Vdekja e mamasë sime nuk më ndryshoi as mua, as situatën rreth meje, por më bëri të kuptoj se sa e rrezikshme ishte situata.
Kujtoj kohën kur më në fund po i ndaja këto frikëra me Xhenin. Po qëndronim në një klub të vogël, duke pirë shumë alkool, duke qarë e qeshur e duke bërë plane për të ardhmen. Ne e kuptuam se një oqean do të na ndante së shpejti nga njëri-tjetri , por nuk do të përbënte pengesë për të punuar së bashku që të vazhdonim luftën për kauzën LGBT.
****
Në 30 Maj 2017, unë, Erjoni dhe qeni ynë arritëm në Vankuvër. Me siguri që do të jetë një kapitull i ri për jetët tona, por çfarë na bën të fortë është fakti se për të parën herë ne do ta jetojmë jetën të lirë si një familje që jemi.
Përgjatë jetës sime e kam pranuar në heshtje çfarë të tjerët kanë menduar për mua: të qenurit gej është krim, tragjedi, ose fatkeqësi. E sforcoja veten për të qenë dikush tjetër, por e kuptova se nuk mund të ndryshoja atë që isha.
Në vend të saj, nisa gradualisht të pranoja e ta kuptoja veten. Kuptova se asnjë person nuk duhet të ndjejë dhe kalojë dhimbjen dhe izolimin që unë kam ndeshur në jetën time. Për këtë arsye të thjeshtë iu dedikova aktivizmit që u kthye në një proces shërues për mua.
Unë vendosa të luftoja frikën dhe izolimin mendor e fizik, këtë e bëra përmes aktivizmit. Papritur frikërat e mia të brendshme nuk ishin më vetëm të miat, lufta nuk ishte më vetëm e imja, as vetmia nuk më përkiste më mua, ato i përkisnin një lëvizjeje, dhe duke e ndarë një luftë të përbashkët nuk shpëtova vetëm veten por ndihmova dhe shumë persona të tjerë.
Kjo më bëri të kuptoj diçka të rëndësishme për identitetin: herët a vonë ne të gjithë duhet të ballafaqohemi, ta kuptojmë dhe ta pranojmë qenien tonë të brendshme. Do t’ju lutesha që këtij ballafaqimi mos t’i bënit bisht për më vonë. /k.m/
Burimi: Daily Xtra/Kristi Pinderi