Media po fyen sërish komunitetin egjiptian me lajmin mbi Zv. Kryeministren
Senida Mesi do të jetë zëvendës Kryeministrja në kabinetin e ri qeveritar që u shpall një ditë më parë nga Kryeministri Rama. Pas publikimit në media të këtij lajmi, mediat nxituan të shpërndajnë një video e saj ku gjatë një interviste për emisionin “Dritare” mbi zgjedhjet e 25 qershorit etiketon në mënyrë fyese komunitetin Egjiptian.
https://www.youtube.com/watch?v=0ddAZCo2mM0
Gentian Sejrani, aktivist i LRER (Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome), ka reaguar sot, duke thënë se ndihet po aq i ofenduar nga raportimet e medias:
“Mediat, nuk kanë akoma të qartë në raportimet e tyre dallimin midis dy komuniteteve rom dhe egjiptian. Madje, ndjehem po aq i ofenduar nga media kur raporton dhe ndryshon përkatësinë e komunitetit egjiptian në rom. Nuk janë të pakta rastet kur në emisionet e tyre lejojnë që të ofendohet dhe të tallet ky komunitet.”
Më tej ai ngre një tjetër pyetje: “Por, mëdyshja më e madhe që kisha nga gjithë këto shkrime ishte: Nëse vërtet medias i erdhi keq që deputetja/ tashmë zv/Kryeministre ofendoi egjiptianët ? Besoj se jo. Ku ishin këto media ku të tjerë si Ben Blushi, Henri Cili, Artan Lame etj. kanë ofenduar po në të njëjtën mënyrë komunitetin Egjiptian?”
Në mbyllje të shkrimit të tij Sejrani thotë se kjo zhurmë mediatike duhet të shërbejë si mësim për zv. Kryeministren e ardhshme, por edhe për mediat për të mësuar rreth kulturës traditës dhe zakoneve të këtij komuniteti.
/l.k./