Raporti vjetor 2015 – 2016, njihuni me qendrën “Streha”
Një raport vjetor për vitin 2015 – 2016 na njeh me “Streha” qendra e parë rezidenciale jo-publike në Evropën Lindore, për të gjithë të rinjtë LGBTI nga mosha 18 deri në 25 që përballen me dhunën dhe diskriminimin nga familja ose komuniteti si dhe aktivitetin e saj.
“Streha” filloi si një projekt pilot i dy organizatave kryesore LGBT në Shqipëri, Aleanca kundër Diskriminimit LGBT dhe Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT. Në raportin e fundit thuhet se një sërë aktivitetesh janë mbajtur nga “Streha” në kuadër të fuqizimit të komunitetit LGBT, ndërgjegjësimit, apo advokimit.
Galaja e parë e bamirësisë “Një shtëpi, shumë zemra” u organizua më 16 maj 2015 dhe e dyta, “Përqafo Diversitetin, Mbështet Progresin”, më 20 Maj 2016. Të ardhurat e mbledhura janë përdorur për të mbështetur programin e koordinimit me komunitetin dhe institucionet dhe programin e ri-integrimit për punësim, formim profesional, kujdes shëndetësor dhe aftësim për jetën.
Shfaqja e dokumentarit SkaNDAL në bashkëpunim me Kinema Millenium ishte një tjetër iniciativë bamirësie gjatë muajit shtator 2015.
Përveç shërbimit bazë, qendra Streha ka punuar gjerësisht për shpërndarjen e informacionit në 12 këshille rajonalë në Shqipëri. Mbi 300 ofrues të shërbimeve sociale të njësive të qeverisjes vendore dhe këshillit të qarkut, shëndetësisë, arsimit, policisë, kanë qenë të informuar për shërbimet e Strehës. Stafi ka advokuar intensivisht përfshirjen e shërbimeve të saj në mekanizmin ekzistues të referimit të dhunës në familje.