Pas 20 ditësh grevë urie banorët e Zharrëzës marshojnë drejt Tiranës
Banorët e Zharrëzës pas 18 ditësh qëndrim në grevë urie janë nisur drejt Tiranës. Prej muajsh ata protestojnë duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet në banesat nga shpërthimet e shkaktuara nga kompania që merret me kërkimin e naftës.
Pas grevës së parë të urisë, zëvendëskryeministri Niko Peleshi i premtoi se do të dëmshpërbleheshin brenda datës 31 Janar 2017. Ky premtim nuk u mbajt dhe banorët u rikthyen në grevë urie më 4 shkurt.
Sot 9 grevistët kanë vendosur të protestojnë në një tjetër mënyrë. Të shoqëruar nga protestues të tjerë ata janë nisur nga Zharrëza drejt Tiranës me karroca invalidësh.
Marsimi i grevistëve drejt Tiranës/ Video: Nisma “Thurje”
“Dje në mbrëmje dëgjova se grevistët e Zharrëzës të cilët nuk iu është dhënë zgjidhje por janë mashtruar vazhdimisht, do të nisin një marshim drejt Tiranës…. Një kompani privatë po shfrytëzon pasurinë kombëtarë të këtyre banorëve, ndërkohë që ata lihen në mëshirë të fatit dhe shpërfillen nga institucionet…” thotë Adriatiku, një prej personave që i është bashkuar marshimit.
Gjatë rrugës me grupin e protestuesve janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë nga zonat përreth.
“Meqë qeveritarët nuk erdhën 19 ditë në grevën tonë, po vijmë ne në Tiranë”, tha një prej grevistëve.
/l.k./