“Mos na ndaloni bukën e përditshme”
Mbledhësit e mbetjeve të riciklueshme protestuan sot përpara Bashkisë së Tiranës ndaj nismës së re për diferencimin e mbetjeve në burim. Mbyllja e koshave të plehrave u ka hequr të vetmen mundësi mbijetese mijëra familjeve në Tiranë. Mbledhësit e mbetjeve të riciklueshme tregojnë se pas vendosjes së koshave të rinj policia bashkiake ka nisur një aksion për sekuestrimin e karrocave dhe gjobitjen e tyre me 50 mijë lekë të vjetra.
Në protestën e sotme mbledhësit i kujtuan kryetarit të bashkisë Erion Veliaj se nuk ka mbajtur asnjë premtim të bërë ndaj komunitetit Rom dhe Egjiptian si dhe i kërkuan shpjegim për dhunën e përdorur nga Policia Bashkiake ndaj ricikluesve. Në të kundërt, protestuesit thanë se do të shkojnë deri në djegie të koshave të plehrave nëse nuk do të gjendet një zgjidhje për punësimin e tyre.
Me pankarta ku shkruhej “Mos na ndaloni bukën tonë të përditshme”, “Ofro mundësi të tjera punësimi, na trajtoni të barabartë”, “Mos na i mbyll kazanët se vdesim”, dhjetëra mbledhës të mbetjeve të riciklueshme protestuan së bashku me fëmijët e tyre.
“Po na hiqni bukën e gojës. S’kam çfarë t’iu jap fëmijëve për të ngrënë, do t’i çoj atje lart tek Erioni t’i ushqej”, tha një prej protestueseve duke tentuar të çante rreshtin e Policëve të Rendit përpara derës së bashkisë.
Aktivisti Brejdon Xhavara tha për Historia Ime se dihet që puna e ricikluesve nuk do të vazhdojë përgjithmonë, por bashkia duhet t’iu sigurojë fillimisht punësimin ose t’iu lejojë një periudhë tranzicioni.
“Vetëm në Tiranë janë mbi 3500 kolektorë që mbledhin çdo ditë mbetje në koshat e plehrave, bashkia është duke i hequr romëve bukën e përditshme. Ne kërkojmë të ketë një periudhë tranzicioni 2 vjeçare që të lejohen të mbledhin mbetje, deri sa të gjejnë një alternativë punësimi dhe të integrohen në shoqëri”, tha për Historia Ime Brejdon Xhavara, një prej aktivistëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Veç sekuestrimit dhe gjobitjes protestuesit kanë denoncuar edhe raste të dhunës. Ky banor i zonës Siri Kodra tregon si është dhunuar nga policia bashkiake pasi ka kundërshtuar sekuestrimin e karrocës që përdorte për mbledhjen e shisheve plastike.
Video/ Aktivizmi Rom dhe Egjiptian
/l.k./m.g/