Përdori gjuhë diskriminuese në “Opinion”, Henri Çili denoncohet tek Komisioneri Kunder Diskriminimit
Dy ditë më parë në studion e emisionit Opinion u diskutua për aktin e protestës ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
Henri Çili, pronar i një universiteti privat, i rreshtuar në panelin e personave që dënonin aktin nuk kurseu as përdorimin e gjuhës diskriminuese për të mbrojtur qëndrimin e tij.
“Askush nuk mund të prekë tjetrin, nuk mund ta qëllojë dhe nuk mund të bëjë asgjë, sepse është kundër dinjitetit njerëzor. Edhe sikur jevg të ishte, më falni për shprehjen, një X ministre apo X minstër”, ka thënë Çili në Opinion.
Video e publikuar nga emisione Opinon:
I menjëhershëm ka qenë reagimi i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane & Rome (LRER) që e ka dënuar rastin, duke drejtuar një ankesë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi .
Deklarata e publikuar nga LRER:
“Çili edhe pse ka një universitet, nuk ka kulturë.
Ishte e vështirë të dëgjoje nga goja e një njeriu që administron një universitet si UET, universitet ky që ka dhënë bursa sociale për egjiptjanët, të përdorë një shprehje të tillë diskriminuese gjatë emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut. Çili tregoi se ende mentaliteti shqiptar në nivelet më të larta mbetet shumë diskriminues. “Jevg” u përdor nga Çili dhe u dëgjua nga shqiptarët duke bërë kështu hapa mbrapa në respektimin e të drejtave të njeriut. Çili e të tjerë janë modele të gabuara që i serviren shqiptarëve dhe nëse ata përdorin shprehje të tilla fyese ndaj një komuniteti të caktuar si do të edukohet popullsia për të mos qenë diskriminuese. Nisur nga ky rast në një emision tepër të ndjekur, vendosëm ti dërgojmë një ankesë Komisionerit për Mbrotjen nga Diskriminimi kundër Henri Çilit për krahasimin diskriminues që përdori gjatë fjalës së tij kundrejt komunitetit egjiptian.
Ne si komunitet i bëjmë thirrje drejtuesve të institucioneve, personave publikë të punojmë së bashku për të luftuar të gjitha llojet e diskriminimit pasi në këtë mënyrë tregojmë kulturën tonë në respektimin e e njëri-tjetrit pa dallime rracore”
Denoncimi i LRER drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi:
/l.k./