Edhe njëherë për arsimin: Çfarë kërkon Lëvizja për Universitetin?
Ashtu siç pritej, në një vend ku korrupsioni është mënyrë jetese dhe ku korruptimi i opinionit publik është mjet lufte, ishte më e lehtë të sulmohej lajmëtari (studentja që i hodhi salcë ministres Lindita Nikolla) se të pranohej lajmi! Ndaj nuk është çudi fakti që i janë vërsulur studentes Mirela Ruko për t’ia “studiuar” biografinë e në këtë mënyrë për ta shndërruar atë personalisht në shënjestër të një linçimi kolektiv, të paprecedentë për shkak se frymëzohet ky linçim, promovohet e mbështetet nga struktura të shtetit apo partisë në shtet!
Historia Ime mendon se është koha të rifreskojmë edhe njëherë, për interes të publikut kërkesat që Lëvizja për Universitetin ka ndaj çështjes së arsimit në Shqipëri dhe reformës për arsimin e lartë në veçanti.
Më poshtë lexoni pyetje konkrete dhe përgjigjet me kërkesat konkrete.
Historia Ime (HI): Cfarë nuk shkon me ligjin e ri për arsimin?
Lëvizja për Universitetin: Ligji i arsimit të lartë do të vendosë në kushte konkurrence të pandershme universitetet publike me ato private për fonde shtetërore. Që universitetet publike të përfitojnë fonde do të duhet të mos merren me cilësinë e mësimdhënies apo kërkimit shkencor, por me sofistikimin e formave të reklamës dhe propagandës.
Kjo konkurrencë drejt standardeve më të ulëta të kërkimit shkencor dhe mësimdhënies do të shoqërohet me rritjen e tarifave për studentët për shkak se një pjesë të fondeve publike do t’u transferohen privatëve. Pra do të gjendemi përballë një situate absurde ku shkolla do të jetë më e keqe dhe më e shtrenjtë.
Nga ana tjetër, universitetet publike, të shndërruara në agjenci komerciale, do të rrezikojnë të falimentojnë ekonomikisht, ndonëse jo akademikisht. Një ndër efektet e ligjit të arsimit të lartë ka qenë edhe skema e sivjetshme e regjistrimit të studentëve. Studentëve u është lënë mundësia që në të njëjtin format aplikimi të zgjedhin edhe universitetet publike, edhe ato private.
Mirëpo, nëse në universitetet publike ka pasur renditje në bazë të notës mesatare, në ato private nuk ka pasur fare renditje. Rrjedhojë e kësaj ka qenë fakti se në universitetet publike studentët mund të skualifikoheshin nëse nuk regjistroheshin në fazën ku ishin shpallur fitues të një dege të caktuar. Kurse në universitetet private studentët nuk skualifikoheshin kurrë, duke u rritur kështu mundësitë për t’u regjistruar në to.
Universitetet private, nga ana tjetër, kanë pasur më shumë kuota të lira sesa kuota të miratuara, çka përbën shkelje ligjore. Po ashtu, si rezultat i panikut të krijuar, studentët nuk janë shtyrë të regjistrohen vetëm në universitetet private, por edhe në degë të papreferuara të publikut duke i lënë vendet e preferuara për studentë më të dobët, të cilëve u ka ardhur shansi i regjistrimit në fazat e fundit.
HI: Çfarë kërkon konkretisht Lëvizja Për Universitetin?
Lëvizja për Universitetin: 1) Në afatshkurtër ne kërkojmë dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, si përgjegjëse politike kryesore për katrahurën që qeveria dhe ministria që ajo drejton ka sjellë në procesin e regjistrimit të maturantëve. E kërkojmë këtë dorëheqje sidomos për vendimet klienteliste të saj në përputhje me interesat e pronarëve të universiteteve private.
2) Kërkojmë po ashtu, kthimin pas të ligjit të arsimit të lartë dhe hapjen e një procesi të gjerë e gjithëpërfshirës universitar të hartimit të një ligji të ri të arsimit të lartë, bazuar mbi këto parime:
– Liri akademike e pakërcënuar nga interesat e qeverisë dhe bizneseve të mëdha.
– Shkollim sipas meritës studimore dhe jo mundësisë për të paguar. Ndaj propozojmë reduktim të përvitshëm të tarifave deri në heqjen e plotë të tyre.
– Autonomi të plotë universitare, ku universiteti do të drejtohet demokratikisht nga trupa e universitarëve (studentë e pedagogë).
– Rritje e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor si rezultat i hapjes me publikun dhe krijimit të një komuniteti të gjallë studiuesish, që përplasin dhe bashkërendojnë idetë e tyre.
– Ndërveprim i jetës universitare me shoqërinë, duke e shndërruar universitetin në vatër të ideve zhvillimore për shoqërinë.