Qytetarët i ngritën kartonin e kuq importit të plehrave në Shqipëri!
Mijëra qytetarë marshuan sot nga parku Rinia drejt Kryeministrisë për të kundërshtuar ligjin që lejon importin e mbetjeve. Protesta e organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave bëri bashkë qytetarë, ambjentalistë dhe aktivistë të shoqërisë civile që i ngritën kartonin e kuq importit të mbetjeve të çdo lloji.
“Shqipëria s’është kazan plehrash”, “Biznes plehrash! Deputetë kazanësh! Referendum!”, “Të nisë riciklimi i politikanëve shqiptarë!”, ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit.
Ndryshe nga lajmi i përhapur dje në media pas njoftimit të Ambasadës Amerikane ku thuhej se protesta ishte organizuar nga opozita, asnjë përfaqësues i Partisë Demokratike nuk ishte i pranishëm në protestë. “Ky nuk është organizim politik, për të gjithë pjesëmarrësit simbolika e protestës është kartoni i kuq për t’i thënë jo ligjit për importin e plehrave. Shqipëria nuk mund të jetë kosh mbeturinash”, tha një prej organizatorëve.
Qytetarët i bënë thirrje presidentit Nishani të mos e dekretojë ligjin:
“I bëjmë thirrje Presidenti të mos e dekretojë ligjin por ta kthejë edhe njëherë për votimnë Parlament. Me këtë rast dua t’i kujtoj deputetëve se i kanë emrat të shkruar në kazanët e plehrave. I paralajmërojmë ata se nëse e votojnë sërish ligjin do të hidhen në kazanët që u takojnë”, tha një pej protestuesve.
Veç pankartave dhe fjalimeve qytetarët vendosën përpara Kryeministrisë qese të zeza plehrash ku ishin stampuar fytyrat e politikanëve.
Aktivistët u shprehën të vendosur në vazhdimin e protestave deri sa ligji të anulohet dhe njëkohësisht njoftuan nisjen e mbledhjes së firmave të nevojshme për referendum.
/l.k./