Emrat e deputetëve në koshat e plehrave, policia ndalon dy aktivistë
Nisi si fjalim në seancën parlamentare nga deputeti Ben Blushi por u kthye në një aksion të vërtetë. Aktivistët e Organizatës Politike kanë ndërmarrë nismën për të shkruar në koshat e plehrave emrat e 63 deputetëve që votuan pro miratimit të ligjit për importin e mbetjeve.
Në orët e para të mëngjesit policia ka arrestuar dy prej aktivistëve, Klodi Leka dhe Bislim Lakna, me akuzën se kanë prishur estetikën e koshave të plehrave. Ky vendim është dënuar nga vet aktivistët të cilët kanë thënë në një komunikatë se “Organizata Politike do t’i vazhdojë këto aksione derisa secili kazan të ketë marrë emrin e një pushtetari plehrë”.
Po ashtu edhe Nisma Thurje një tjetër grupim i përfshirë në protestat kundër ligjit për importimin e mbetjeve, ka reaguar ndaj veprimit të Policisë. “Koshat e plehrave kanë më shumë dinjitet se një kryeministër i cili merr vota në emër të ndalimit të importit të plehrave dhe bën të kundërtën në pushtet. Për këtë, ndoshta policia ka të drejtë . Koshat janë shëmtuar!”, shkruhet në faqjen e tyre në Facebook. /m.g/