Protesta për vdekjen e 17- vjeçarit në Sharrë, përleshje mes aktivistëve dhe policisë
Siç ishte lajmëruar, aktivistë të shoqërisë civile dhe dhjetëra qytetarë protestuan sot përpara dyerve të bashkisë së Tiranës për vdekjen e 17 – vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës dhe “kampet e vdekjes” siç i qujanë ata vendet e punës me kushte të mjerueshme. “Me dhjetëra e qindra Arditë të tjerë ose kanë vdekur, ose rrezikojnë të vdesin çdo ditë në miniera, kantiere pallatesh, fabrika, hidrocentrale, ndërtim rrugësh dhe kombinate metalurgjikë për shkak të kushteve kafshërore të punës, ku njeriu nuk ka as dinjitet, as siguri dhe as pagë të mjaftueshme”, shkruajnë aktivistët.
“Varri masiv” siç e quajtën aktivistët landfillin e Sharrës, është e vetmja mundësi pune që çon “Arditin e varfër dhe shumë të tjerë si ai, drejt kushteve të zeza e çnjerëzore”. Këtë fakt e mbështetën edhe aktivistë të komunitetit Rom. Njëra prej aktivisteve rome tha se gjatë një vizite në impiantin e Sharrës janë ndeshur me kushte pune jo humane. “Ne shkuam atje dhe aroma e keqe e gjithë atij impianti ndihej me kilometra larg. Është e turpshme ta thuash por u shokuam kur pamë punëtorët duke u ushqyer mes mizash. E vetmja gjë që ata na kërkonin ishte t’i shpëtonim nga ai vend”, tha në prej aktivistëve rome.
Aktivistët e Organizatës Politike e kanë cilësuar Bashkinë e Tiranës përgjegjëse për ngjarjen. “Arditin nuk e vrau makineria private e shtetit, e vrau shteti në bashkëpunim me pronarin. Ne kërkojmë përgjegjësi penale për ata që firmosin kontrata “partneriteti” me qëllimin e vetëm për të vjedhur punën, djersën, gjakun e në fund dhe jetën e qytetarëve”, shkruhet në komunikatën për shtyp të Organizatës Politike, organizatore e protestës së sotme.
Foto: Historia Ime
Ata kërkuan vënien përpara përgjegjësisë të autorëve, dorëheqjen e kryetarit Veliaj dhe ndalimin e koncesioneve. Përveç kësaj aktivistët kërkuan mbështetje dhe qëndresë nga ana e qytetarëve.
“Ne të gjithë kemi në dorë që askush të mos vdesë më nga puna. E nëse nuk e arrijmë dot këtë nesër, të paktën kemi në dorë që kushdo që të vdesë prej punës, të mos vdesë pa emër, të mos vdes pa vëmendjen publike dhe pa revoltën tonë qytetare”, tha Arlind Qori, një prej akivistëve të Organizatës Politike.
Protesta u tensionua kur aktivistët tentuan të sjellin një kazan plehrash përpara derës së Bashkisë por hasën kundërshtimin e policisë bashkiake dhe asaj të rendit. / Video: Historia Ime
Pas përleshjeve me policinë protestuesit filluan të hidhnin mbeturina drejt derës së bashkisë.
Gjatë fjalimeve aktivistët denoncuan një tjetër rast vdekjeje në landfillin e Sharrës. Ata thanë se bëhet fjalë për vdekjen e një punonjëse grua që sipas aktivistëve, është mbajtur i fshehtë nga institucionet përkatëse dhe media. Për këtë rast ata thanë se shumë shpejt do të dalin detaje të reja.
/l.k./ /m.g./