“Çeta” vendos Mic Sokolin përpara buldozerëve tek “Bregu i Lumit”
Pasditen e së enjtes, aktivistët e “Çetës” të armatosur me kova vinovili dhe furça, nisen për aksionin e radhës. Këtë herë do të shkojnë tek “Bregu i Lumit”, zonë ku banesat e ndërtuara prej dekadash nga familje të varfra, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian, kërcënohen me shembje nga fadromat e bashkisë.
Për t’i mbrojtur këta banorë nga sulmi që mban emrin “Rehabilitim i shtratit të lumit”, Çeta e aktivistëve ka zgjedhur të vendosë rikrijimin e veprës ikonike të piktorit Sali Shijaku, Mic Sokolin, këtë herë jo përballë topit por përpara eskavatorëve dhe fadromave.
“Çeta lindi si një nevojë e bashkëpunimit midis artit dhe aktivizmit politik, një grup prej 12 personash me profile të ndryshme, studentë të shkencave sociale, fizikës, arkitekturës dhe akademisë së arteve që përdor artin e rrugës si mjet për rivendosjen e së drejtës mbi hapësirat publike dhe kritikën ndaj Neo- Liberalizmit”, tha një prej aktivistëve.
Kjo vepër e quajtur “Epopeja e eskavatorit” lindi si një histori koicidencash mes mendjeve që mendojnë njëlloj, pavarësisht se janë në skaje të kundërta të globit. Raino Iisto, një historian arti amerikan i apasionuar me artin e pas luftës në Evropën Lindore, tregon si lindi ideja e veprës:
“Kam punuar përpara disa vitesh në Shqipëri dhe pas largimit gjithmonë jam interesuar mbi ngjarjet kulturore që ndodhin këtu. Kështu rashë në kontakt me “Çetën” përmes rrjeteve sociale, dhe i frymëzuar nga një prej aksioneve të mëparshme i dërgova një skicë timen ku pasqyrohej Mic Sokoli i Sali Shijakut përpara eskavatorit, por doli që djemtë e Çetës kishin pasur të njëjtën ide dhe kështu lindi bashkëpunimi.”
Për të mësuar më shumë rreth grupimit “Çeta” dhe veprës “Epopeja e Eskavatorit” ju ftojmë të dëgjoni podcastin e mëposhtëm me intervista nga një prej aktivistëve të grupit dhe bashkautorit të veprës Raino Iisto.
*Lorin Kadiu
http://historiaimecom.polldaddy.com/s/cila-%C3%ABsht%C3%AB-tema-q%C3%AB-na-sugjeroni-p%C3%ABr-podcastin-e-radh%C3%ABs-1